
Trajneri Shaqiri ka folur para mediave pas ndeshjes me FC Ararat.
Shkëndija do të udhëtojë për në Jerevan të Armenisë me rezultat pozitiv, me epërsi prej 2:0, pasi mbrëmë e fitoi ekipin armen në një ndeshje që totalisht u dominua nga kuqezinjtë.
Artim Shaqiri: “Ndodhi ashtu siç e pritëm. Ekipi kundërshtar deri diku ishte përgatitur në ndeshjen kundër nesh. Ata u munduan të bëjnë diçka më tepër ndaj nesh, por me analizën të cilën ne e kishim bërë paraprakisht, me bisedën me lojtarët dhe me taktikën e përgatitur ia arritëm qëllimit që në fund të marrim një rezultat pozitiv prej 2:0. Patëm raste tjera për një fitore edhe më të thellë, por mbi të gjitha jemi të kënaqur me rezultatin. Na presin edhe 90-të minuta tjera në Armeni, por ne atje do të luajmë për t’u kualifikuar në raundin tjetër”.
Artim Shaqiri: “Zëvendësimet në pjesën e dytë u bënë me qëllim që të freskohet loja, vetëm njëri zëvendësim ishte i detyruar për shkak të një lëndimi të vogël të Bruno Ditës, ndërsa të tjerat ishin zëvendësime taktike. Është një lojtar i ri që i luan 20 minutat e para në Shkëndijë, por që dëshmoi që ka cilësi dhe kualitet, dhe shpresojmë që në ardhmen do të jetë vlerë e shtuar për ekipin tonë. Por e them edhe njëherë se mbeten edhe 90 minuta tjera për t’u zhvilluar”.
Artim Shaqiri: “Kemi ende kohë për t’u përgatitur për ndeshjen kthyese. Kundërshtari kishte dy raste kur mundej të na rrezikonte. Por në futboll nevojitet edhe fat, e fati ishte në anën tonë. Lojtarët tanë bllokuan mirë, por edhe portieri ishte i shkëlqyer. Normalisht se ne do ta analizojmë ndeshjen dhe gabimet do t’i përmirësojmë që të mos na përsëriten në të ardhmen”.
