Konferencë për shtyp para ndeshjes me FC Ararat

No image

Trajneri Shaqiri dhe Egzon Bejtullai kanë folur para gazetarëve për pritshmëritë e tyre nga ndeshja e së enjtes ndaj FC Ararat.

Shkëndija të enjten me fillim në orën 20:00 luan ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator të UEFA Conference League kundër armenëve të FC Ararat. Para ndeshjes, në konferencë për shtyp para gazetarëve folën shefi i stafit teknik Artim Shaqiri dhe Egzon Bejtullai.

Artim Shaqiri: “E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje, andaj edhe e kemi analizuar kundërshtarin në maksimum. Është ndeshje të cilën tifozët dhe lojtarët janë duke e pritur me padurim. Lojtarët kaluan një fazë përgatitore mjaft të vështirë, por futbolli është i tillë që kërkon përgatitje, sidomos kur vijnë ndeshjet e këtilla. Nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin, e as nuk e mbivlerësojmë. Ndoshta jemi favorit në letër, por do ta lëmë favoritin në letër pasi që fusha është diçka tjetër. Do të futemi në lojë të përgatitur në maksimum që të japim rezultat pozitiv, e ajo është fitorja. Shpresoj që nesër të jenë edhe Ballistët në numër sa më të madh, pasi që ata janë lojtari jonë i 12-të”.

Egzon Bejtullai: “Mendoj se fazën përgatitore e kryejtëm me sukses dhe tani jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me FC Ararat. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar e të koncentruar për ndeshjen e nesërme që të japim maksimumin dhe të arrijmë rezultat sa më pozitiv”.

Artim Shaqiri: “E kemi analizuar kundërshtarin në maksimum. Por analiza është diçka tjetër, unë së pari dua që ekipi im të bëjë punën në fushë, e pastaj vetvetiu vjen edhe rezultati pozitiv. Përveç Hasanit që do të mungojë për shkak të një lëndimi të vogël që e la jashtë fushe për 3 ditë, e që po rikuperohet me sukses, por ne nuk deshëm të rrezikojmë për ndeshjen kthyese kur do të jetë i gatshëm për lojë. Përforcimet e reja janë duke u adaptuar shumë mirë me ekipin. Dy lojtarë janë të huaj e njëri nga vendi. Por t’ia lëmë ndeshjes së nesërme kur do të vendosim.

Egzon Bejtullai: “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Të gjithë në skuadër janë lojtarë të mirë dhe me karakter të fortë, e atmosfera e mirë që mbizotëron në skuadër besoj që nesër të reflektohet edhe në fushë. Shkëndija është ekip që gjithnjë kërkon të ketë rezultat pozitiv në garat evropiane. Vitin e kaluar e lëmë pas, dhe shpresojmë që këtë vit të përsërim kohërat kur në Shkup sollëm klube të mëdha evropiane. Mendoj se për këtë jemi të përgatitur”.

Artim Shaqiri: “Kemi parë disa ndeshje të kundërshtarit, posaçërisht ato ndeshjet e tyre kampionale. Sidoqoftë kemi informata të mjaftueshme për kundërshtarin”.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME