Konferenca për shtyp para ndeshjes me Botoșanin

No image

Trajneri Gjoka dhe kapiteni Bejtullai flasin para mediave për ndeshjen e të enjtes me FC Botoșanin e Rumanisë.

• Gjoka: Jemi përgatitur për pikat e forta të ekipit kundërshtarë 
• Bejtullai: Nëse bëjmë detyrat tona do të marrim rezultat pozitiv
• Gjoka: Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, do të jetë përballje e luftuar 
• Bejtullai: Kemi analizuar Botoșanin dhe jemi përgatitur maksimalisht

Kuqezinjtë janë vendosur në qytetin Botoșani në Rumani ku të enjten do të zhvillojmë ndeshjen e raundit të dytë të eliminatoreve të UEFA Europa League. Pak para seancës zyrtare stërvitore në “Botoșani Municipal Stadium”, trajneri Ernest Gjoka dhe kapiteni Egzon Bejtullai para mediave folën për pritjet e Shkëndijës nga kjo përballje. 

Ernest Gjoka: “Dihet se kemi vetëm një ndeshje në Europë dhe ne jemi përgatitur për një kundërshtarë si Botoșani, duke pas parasysh analizën dhe duke patur parasysh se kush është Botoșani. Them që jemi përgatitur seriozisht për pikat e forta të ekipit kundërshtarë por edhe në ato pikat delikate që ato kanë. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, do të jetë përballje e luftuar dhe mendoj se skuadra që do të bëjë më pak gabime në fund do të fitojë ndeshjen”.

Egzon Bejtullai“Gjithë kampionatin vendor ne luftojmë të kapim vendin e parë dhe ndeshjet e Liga Evropës janë motiv shtesë për gjithë ne. Mendoj se Botoșani ka ekip të mirë, ne i respektojmë maksimalisht, mirëpo e dimë se Shkëndija çdohetë kërkon rezultat pozitiv. Jemi në kohë pandemie dhe është e pamundur të kemi ndeshje kthimi dhe ne ndeshjen duhet ta luajmë këtu në Rumani. Ne kemi analizuar Botoșanin dhe gjithë javën jemi përgatitur maksimalisht. Ne lojtarët duhet të përmbushim detyrat që na ka dhënë stafi teknik dhe mendoj se nëse bëjmë këtë do t’ia dalim të marrim rezultat pozitiv”.

Ernest Gjoka: “Sigurisht se në futboll gjithmonë shkohet për të fituar, por kemi parasysh se ekipi i Botoșanit është një nga ekipet më të mira në kampionatin e Rumanisë. Është ekip që ka cilësi brënda, ka disa pika shumë të forta, luajnë agresiv dhe mundohen të surprizojnë kundërshtarin përmes shpejtësisë dhe nëpërmjet cilësisë. Por ne sigurisht tashmë kemi njohur dhe studiuar mirë. Edhe ne kemi shumë cilësi brënda, kemi eksperiencë brenda, posedojmë lojtarë që ne mund të realizojmë atë për të cilën kemi ardhë këtu. Personalisht mendoj se në qoftë se ne do të kryejmë detyrat nga ana e disiplinës taktike dhe në ato mundësitë tona që do të kemi para portës nuk do të gabojmë, pastaj ndeshja mund të flasi edhe për atë rezultat që ne kemi ardhur”.

Egzon Bejtullai: “Kur spektatorët janë të pranishëm në tribuna ndeshja gjithmonë është më interesante dhe ka më shumë motivim për lojtarët. Mirëpo për ne si mysafirë ndeshjet pa spektatorë natyrisht se na lehtësojnë detyrën pasi kundërshtarit do t’i mungojë mbështetja e zakonshme nga tribunat. Mua më jep besim fakti se ne si ekip tregojmë stabilitet në disiplinën e lojës dhe takikën e stafit teknik. Mendoj se do t’ia dalim pasi edhe në xhiron e parë luajtëm taktikisht mirë edhe pse në momente kishim disa vështirësi, por ja dolëm”.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME