Stafi teknik i kuqezinjëve ka folur për kanalin zyrtar të klubit për barazimin 0:0 me Renovën.
• “Nuk më shqetëson që s’shënojmë, besoj se do kthehemi te goli”
• “Dëshironim fitoren, por Renova duke ndjerë presionin dha gjithçka”
• “Vazhdojmë drejt rrugës së përcaktuar në start të kampionatit”
Shkëndija e mbyll si lidere edhe fazën e dytë të garave në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe në fazën e tretë vendimtare futemi me 7-të pikë para Shkupit të vendit të dytë. Kuqezinjtë në kuadër të xhiros së 22-të nuk shkuan përtej barazimit 0:0 me Renovën, mirëpo edhe me një pikë kemi ritur diferencën ndaj vendit të dytë, duke përfituar nga humbja e Shkupit në sfidën me Rabotniçkin.
Ernest Gjoka: “Nuk mendoj se Renova në pjesën e parë ishte në epërsi, ata bënë më shumë presion, por rastet për gol ne i kishim më shumë. Sigurisht pritej diçka e tillë nga kjo ndeshje, se Renova do kërkonte maksimumin duke i’u dashur pikët, por ndërkohë edhe ne duhet ndoshta të jepnim më shumë për të shënuar gol, sepse mendoj se vetëm goli na mungoi në kushte kur mendoj se skuadra dha të mirën e saj, u bënë detyrat në dy fazat e lojës, si sulm ashtu edhe në mbrojtje ishim të qartë. Por duhet të jemi akoma më egoistë para portës dhe të shënojmë golin.”
Ernest Gjoka: “Nuk është çështje që më shqetëson fakti
që nuk shënojmë tashmë dy ndeshje me radhë, mendoj se ne e kemi potencialin për
të shënuar golin, por duhet të jemi akoma më agresiv para portës që të arrijmë
të shënojmë nga rastet që kemi. Edhe sot patëm raste për të shënuar gol, por
ndoshta mungoi fati i futbollistëve për të shënuar. Gjithsesi, sot ka mbaruar
faza e dytë, kampionati bëhet akoma edhe më i egër, duhet të jemi akoma më të
kujdesshëm, të vëmendshëm, të përqendruar. Në dy ndeshjet e fundit ndoshta edhe
skuadra ka ndjerë presion në sensin e të qenurit në vendin e parë dhe vendi i
parë ka presionin e vet sigurisht. Ndoshta edhe kjo mund të ketë qenë një lloj
hutie dhe problem të sulmuesit tanë. Por unë kam besim që ne kemi potencialin
për të shënuar gol dhe për të ec përpara, të vazhdojmë dhe të shkojmë drejt
asaj rruge që ne i jemi përcaktuar prej fillimit të kampionatit.”
Ernest Gjoka: “Barazimin me Rabotniçkin nuk duhet ta shohim si humbje,
por edhe këtë sot sepse kampionati është i tillë. Jo gjithmonë duhet të
fitojmë, duhet të fitojmë dhe duhet të fitojmë. Ne patjetër se e kërkojmë
fitoren, por edhe kundërshtarët janë ato që të japin mundësinë të fitosh apo ta
vështirësojnë ndeshjen. Kështu që ne i dimë vështirësitë, e dimë edhe
Rabotniçkin, thash që të mërkurën se ata janë ekip shumë i mirë, ekip që na
vuri në vështirësi duke mos na lejuar të organizojmë lojën tonë. Kështu që e
rëndësishme është që treni jonë mos ndalet, të ecë dhe të vazhdojë të ecë deri
në arritjen e objektivit që kemi. Fitojmë apo barazojmë, kjo është çështje e
përkohëshme, sepse të themi se ne kemi sulmuesit më të mirë në Maqedoni dhe nuk
shënojnë dy javë, absolutisht në ndeshjet e ardhshme ato do të shënojnë dhe do ta
lirojnë skuadrën. Por shumë e rëndësishme është që të vazhdojmë rrugën dhe të
përqendrohemi drejt objektivit që ne kemi marrë përsipër.”