Katër kuqezinjë pjesë e ekipeve përfaqësuese

No image

Egzon Bejtullai, Lupço Doriev, Reshat Ramadani dhe Dashmir Elezi kanë marrë ftesa për tu grumbulluar me ekipet përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut gjatë pauzës ndërkombëtare të kampionatit vendor. 

Elita e futbollit vendor do të ketë pauzë dy javore shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese. Kjo do të jetë mundësi e mirë për trajnerin e rikthyer Qatip Osmani për të punuar në qetësi me ekipin në drejtim të menjanimit të mangësive që shfaqen në lojë, mirëpo këtë do të duhet ta bëjë pa katër futbollistë (Bejtullai, Doriev, R. Ramadani dhe Elezi) që duhet tu përgjigjen ftesave të ekipeve përfaqësuese.

Paraqitjet pozitive me Shkëndijën në ndeshjet europiane dhe në sezonin e ri, pas një periudhe kohore e rikthejnë në përfaqësusen A të Maqedonisë së Veriut, Egzon Bejtullain dhe Lupço Dorievin. Mbrojtësi dhe sulmuesi anësorë janë gjetur në listën e seleksionuesit Bllagoja Milevski për ndeshjet me Gjeorgjinë (Tblisi, 23 shtator) dhe Bullgarinë (Shkup, 26 shtator) në kuadër të Ligës së Kombeve. 

Reshat Ramadani ka marrë ftesë nga Maqedoni U21 e cila nën drejtimin e seleksionuesit, Dragan Kanatllarovski do të merr pjesë në një turne kontrollues në Kroaci, ku krahas përfaqësueses vendase (Kroacisë), do të marrin pjesë edhe Arabia Saudite dhe Shqipëria. 

Me Maqedoninë U21 duhej të ishte bashkuar edhe Dashmir Elezi, mirëpo i njejti me insistim të seleksionuesit të përfaqësueses U19 të Maqedonisë së Veriut, Nexhat Shabani do të luajë me këtë gjeneratë në ndeshjen kontrolluese me Qipron, që do të jetë testi i fundit para turneut kualifikues të fazës elite për Kampionatin Europian.