Gjoka: Treguam se jemi më të mirët

No image

Kryetrajneri i Shkëndijës vlerëson të bukur rezultatin 5:3 ndaj Rabotniçkit, por kritikon ekipin për 3 golat e pësuar. 

• Gjoka: “Rezultati i bukur, por seriozisht jam pak i mërzitur pse pranuam 3 gola”
• Gjoka: “Filozofia jonë, sidomos në Europë është disiplina taktike në çdo lojë”
• Gjoka: “16 gola në 3 ndeshje në stadiumin “Todor Proeski” , mundësi që ta jep infrastruktura

Shkëndija nuk ndërron shpejtësinë edhe në kushte kur titulli i kampionit matematikisht është hipotekuar tashmë prej tre ditësh. Kuqezinjtë në kuadër të xhiros së 30-të performuan në nivel të një kampioni, duke e deklasuar në Shkup skuadrën e Rabotniçkit me rezultatin 5:3. Ashtu si të dielën me Borecin ekipi shihte veten në negativë, për të sjellë në vazhdim triumf bindës. Da Silva, Hebaj, Nafiu, Alimi e Ibraimi ishin autorë të golave në triumfin e 21 të Shkëndijës në këtë kampanjë.

Ernest Gjoka: “Kjo ndeshje në rezultat është e bukur, por seriozisht jam pak i mërzitur sepse ne kemi ndërtuar një skuadër që të jemi shumë të kujdesshëm, sepse tre golat që kemi pësuar sot nuk i kemi pësuar nuk e dij për sa e sa ndeshje. Kështu që këtu duhet të jemi të kujdesshëm, edhe pavarësisht se gjithë golat që shënuam sot erdhën nga lojtarë të sulmit, shtuar edhe Armendin, gola që ishin secili më i bukur se tjetri, por gjithsesi nuk duhet të gabojmë dhe të tolerojmë shënimin e golave. E them këtë sepse gjithë filozofia jonë, sidomos në Europë është disiplina taktike”. 

Ernest Gjoka: “Filluam ndeshjen me një gabim tonin, këto janë gjëra që ndodhin në futboll, por mendoj se ishin ok, morëm topin, e qarkullonim, hapen hapësira, gjendet momenti për të shënuar golin. Këto janë gjërat pozitive që ndërtoi skuadra që është në momentin e saj më të mirë edhe nga ana psikologjike pasi tregojmë se kur jemi të qetë psiqikisht, atëherë mund të japim më të mirën. Por mos të harrojmë se sot kishim një nga ndeshjet më të forta të kampionatit, pasi ky rival na ka nxjerë shumë probleme edhe në ndeshjen e fazës së parë edhe në atë të fazës së dytë. Rabotniçki është skuadër shumë e mirë, sidomos nga ana taktike pasi nuk të len shumë hapsira”. 

Ernest Gjoka“Ne nuk e shofim këtë rezultat në prizmin e hakmarrjes ndaj Rabotniçkit për dy ndeshjet e fundit mes veti, pasi ne e kemi ndërtuar këtë ndeshje për të treguar që jemi më të mirët dhe jemi më të mirët. Por që të jesh më i mirë duhet ta fitosh kundërshtarin brenda fushës së vet. Dhe ne sot e treguam këtë, që ne jemi më të mirët dhe edhe brenda fushës së Rabotniçkit, ne sot e mundëm këtë ekip që është ekip i fortë dhe ka bërë mirë gjatë gjithë kampionatit”. 

Ernest Gjoka: “16 gola në 3 ndeshje në stadiumin “Todor Proeski” tregon se kjo është rezultat apo mundësi që ta jep infrastruktura. Ne kemi prekur këtë temë edhe më herët, skuadra si Shkëndija që dinë të luajnë me topin poshtë, kanë nevojë për infrastrukturë të mirë. Kështu që në momentet që ne vijmë këtu, kjo fushë na sjell gjithmonë fat, na sjell këtë sepse ne këtu dimë të luajmë futboll shumë të bukur”.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME