Kanë përfunduar përgatitjet e Shkëndijës për ndeshjen e parë të eliminatoreve për Liga Evropa dhe ‘kuqezinjtë’ janë gati për përplasjen me Krakovian të ejnten në mbrëmje në Shkup. Ekipi të mërkurën në orën 21:00 ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore, duke zgjidhur edhe detalet e fundit para takimit të parë me ekipin polak. Futbollistët janë të vetëdijshëm për vlerën e kësaj përballeje, e dijnë se do të jetë sfidë serioze me një rival shumë cilësor, mirëpo të gjithë duken të vendosur për të dhënë më të mirën në kërkim të rezultatit pozitiv.
Kjo do të jetë ndeshja e 9-të e Shkëndijës në Kupat Evropiane, ndërsa kërkohet kualifikimi i parë dhe historik në xhiron e dytë. Për këtë nevojitet rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Shkup, që më pas në Krakov të Polonisë të kërkohet kalimi në raundin e dytë.
Ndeshja Shkëndija-Krakovia luhet të ejnten në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, me fillim në orën 21:00.
Leave us a reply