Dita: Nëse luajmë si në ndeshjen e fundit, fitojmë Borecin

No image

Mesfushori kuqezi beson se skuadra është e aftë për të mbajtur formën si në takimin e fundit, për të fituar duelin e xhiros së 15-të në LPFMV të shtunën kundër Borecit.

• Shkëndija do të jetë mysafire e Borecit në Veles të shtunën
• Kuqezinjtë kërkojnë fitoren e radhës për të ruajtur kreun
• Mesfushori Bruno Dita beson të përsëritet paraqitja e fundit

Shkëndija të shtunën në transfertën me Borecin hap xhiron e 15-të në elitën e futbollit vendor. Kuqezinjtë në mesjavë performuan shfaqjen më bindëse të këtij sezoni duke mundur Makedonija Gj.P. me shifra të larta 5:0 dhe një triumf i tillë duket model ideal për t’u përdorur për të ardhmen. Të enjten ekipi punoi në rigjenerim aq të nevojshëm duke llogaritur orarin e ngjeshur, ndërsa të premten u zhvilluan përgatitjet e fundit para duelit me Borecin.

Opinioni nga Bruno Dita

Bruno Dita: “E rëndësishme është që ne nuk kemi pësuar humbje në këtë sezon dhe forma jonë është në ritje. Me Makedonijan ishte ndeshje e vështirë pasi ishte rival direkt, ishin një pikë pas nesh. Ajo fitore na jep besim, sepse të mundësh ekipin e vendit të dytë 5:0 dhe për më shumë që u shfaqëm shumë mirë në lojë, mendoj e kemi bërë ndeshjen më të mirë të sezonit. Na jep shumë besim dhe tani shkojmë me besim akoma më të madh në ndeshjen me Borecin. E dimë që jetë ndeshje shumë e vështirë. Atje fusha është sintetike, por mendoj se nuk do e kemi problem në qoftë se do të jemi të fokusuar 100% si në ndeshjen e fundit me Makedonijan, shpresoj dhe besoj të dalim me sukses.”

Të rejat në skuadër

Valon Ahmedi do të jetë mungesa e vetme në formacionin e Ernest Gjokës për transfertën me Borecin. Mesfushori ofenziv akoma ka shqetësime pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e çerekfinales së Kupës me Sileksin dhe nuk përfshihet edhe për këtë duel. Ndërkohë kthehet në skuadër Armend Alimi, që humbi takimin e fundit për arsye familjare (vdekja e babait).

Kundërshtari

Shkëndija të shtunën do të jetë përballë ekipit të katërt në renditje, pasi që Boreci pas 14-të xhirove qëndron lartë në renditje. 6 fitore, 4 barazime e 4 disfata e mbajnë skuadrën nga Velesi në kuotën e 22 pikëve dhe pozita e katërt është më se e merituar për momentin, duke llogaritur paraqitjet e deritashme. Boreci do të ishte edhe më lartë në renditje, poqëse nuk u përball me një krizë rezultatesh kur në tre takimet e fundit kanë pësuar dy humbje. Fillimisht u mundën 0:2 nga Vardari, ndërsa më pas humbën 1:0 në Tetovë nga Renova. Në xhiron e fundit dukeshin pranë një tjetër dështimi, por arritën të fitojnë me përmbysje 2:1 përballë Struga Trim&Lum. Përballja e parë e këtij sezoni mes Shkëndijës dhe Borecit e luajtur në Tetovë u mbyll me barazim 1:1.  

Ndeshja Boreci-Shkëndija në program është të shtunën në stadiumin e qytetit në Veles me fillim në orën 13:00, ndërsa do të transmetohet drejtëpërsëdrejt në MRTV dhe Arena Sport.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME