Dënojmë ofendimet e zëdhënësit të FFM-së në emisionin “Shtëpia e Futbollit”

No image

KF Shkëndija është duke shkruar faqe të re të lavdishme të historisë së saj, pasi tanimë siguruam titullin e kampionit dhe jemi në finale të Kupës së Maqedonisë. Jemi të vetëdijshëm se sukseset tona nuk mund të pranohen me kënaqësi nga të gjithë dhe shohim qartë se si media të caktuara kërkojnë suksesin ta hijezojnë në mënyra të ndryshme. Asnjëherë nuk e kemi bërë dhe as që duam të merremi me ata që na kanë si ‘therrë në sy’, mirëpo në të njejtën kohë nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë askush të na ofendojë neve si klub dhe shqiptarët si komb.

Aryseja e këtij reagimi është emisioni i fundit “Shtëpia e Futbollit” (22.04.2018) që prodhohet nga FFM, udhëhiqet nga zëdhënesi i federatës, Zllatko Andonovski dhe transmetohet në TV 24.

Është e patolerueshme që në ditën kur Shkëndija matematikisht siguron titullin e kampionit, për Andonovskin (mbase edhe për porositësit e tij) më me rëndësi janë tema tjera, duke vënduar mysafirët (futbollistët e Shkëndijës, Bllagoja Todorovski dhe Kostadin Zahov) në pozitë sikur qëndrojnë ulur para gjykatësit dhe presin vendimin për dënim, me të drejta të kufizuara të mendimit të tyre. Ende nuk mundemi të kuptojmë arsyen e ‘shfaqjes’ së tillë dhe pozitën në të cilën Andonovski vuri veten, FFM-në dhe lojtarët tanë? Duke gjykuar ashpër tekstualisht secilën pyetje të moderatorit nacionalist, e që thuajse asnjëra nuk kishte lidhje me titullin e fituar nga Shkëndija, pyesim publikisht Federatën e futbollit të Maqedonisë dhe vetë Andonovskin se kujt i drejtohet me shprehjen ‘indianci’? Pyetemi publikisht pse emisioni i fundit skandaloz ende nuk është publikuar në kanalin zyrtar në YouTube?

Si mund FFM të lejojë një njeri të pakulturuar dhe me intelegjencë aq të cekur të shfaqet publikisht në mënyrë skandaloze, madje duke përdorur shprehje të ‘shpikura’ nga Qeveria paraprake e Maqedonisë e që e dimë se çfarë fundi sollën?! A haron FFM dhe Andonovski se nga tabori i Shkëndijës marrin reprezentues në të gjitha përfaqësueset e vendit? Me cilën logjikë FFM dhe Andonovski mendojnë të organizojnë konferencën për shtyp para finales së Kupës ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit? Me sa fytyrë Andonovski mendon të ulet në një tavolinë me trajnerin dhe kapitenin tonë, kur të njejtën i ofendon publikisht duke tentuar të mbrojë diçka që nuk mbrohet?

Ne si KF Shkëndija që në këtë moment publikisht bëjmë me dije se asnjë përfaqësues i skuadrës tonë nuk do të ulet asnjëherë më në krah të Andonovskit dhe tani FFM le të mendojë se si do të zgjidhë këtë situatë!

FFM dhe Andonovski detyrohen falje publike ndaj mysafirëve në emision, Bllagoja Todorovski e Kostadin Zahov, si dhe KF Shkëndija dhe gjithë shqiptarëve.

Nuk do të ecim kurrë përpara deri sa nuk gjejmë sinqeritet në veten tonë, pasi FFM gjithë kohë aludon se angazhohet për eliminim të nacionalizmit, ndërsa lejon që vetë të punësuarit në federatë të prodhojnë atë.