Dashmir Elezi: “Debutimi dhe rekordet motiv për të punuar më shumë”

No image

“Është një ëndërr e bërë realitet. Një ndjenjë që nuk mundem ta përshkruaj me fjalë. Më në fund kam debutuar me ekipin e parë dhe kisha fatin edhe të shënoj në debutim”, thotë Dashmir Elezi që me 16 vite e një ditë është debutuesi dhe golashënuesi më i ri në historinë e futbollit vendor.

Një yllë i ri ka lindur dhe që në shansin e parë bën me dije se është i determinuar për të shndëritur fuqishëm në ‘qiellin’ e futbollit. Shkëndija dhe elita e futbollit vendor nga e diela kanë një rekord të ri, pasi Dashmir Elezi bëhet futbollisti më i ri në histori të klubit dhe ligës që debuton dhe madje edhe shënon. Kuqezinjtë kanë rritur në shkollën e moshave një ‘xhevahir’ që rëmbeu që në rastin e parë dy rekorde, më i riu që luan dhe më i riu që shënon. Të shtunën e 21 nëntorit Elezi festonte ditëlindjen e tij të 16-të, duke përmbushur kushtin për të fituar të drejtën të luajë në ekipin e parë. Të dielën, 22 nëntor gjendet në formacionin startues në takimin Shkëndija-Shkupi (1:1), ndërsa rezultati zhbllokohet në fund të pjesës së parë pikërisht me autor të golit Dashmir Elezin. Fillim i vrullshëm dhe dy rekorde në një ditë e një ndeshje për shpresën e madhe të futbollit tetovar dhe jo vetëm.

🌟Dashmir Eleeeziiiii për 1-0 pas pjesës së parë #ShkëndijaShkupi

Posted by KF Shkëndija on Sunday, November 22, 2020

“Është një ëndërr e bërë realitet. Një ndjenjë që nuk mundem ta përshkruaj me fjalë. Më në fund kam debutuar me ekipin e parë dhe kisha fatin edhe të shënoj në debutim”, thotë Dashmir Elezi që rëmben rekordin e Valmir Nafiut që deri tani ishte golashënuesi më i ri i Shkëndijës në elitë me 16 vite e 3 muaj. Elezi shënon sapo mbush të gjashtëmbëdhjetat.

“Unë mezi kam pritur ditën kur do të debutoj me ekipin e parë, pa menduar për rekorde dhe gjëra të tilla. Ky është klubi i zemrës sime, stërvitem që në moshë shumë të vogël dhe gjithnjë ushqeja ëndërën që një ditë do luaj për ekipin e parë. Kam luajtur në ndeshje miqësore me ekipin e parë, por të luaj një ndeshje zyrtare përfundimisht është ndjenjë e mrekullueshme dhe realizim i një ëndërre. E tani rezulton që jam më i riu që debutoj dhe që shënoj në historinë e Ligës së Parë! E bukur gjithsesi për të bartur këtë rekord”, thotë Elezi që shton se ndjehet i motivuar për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.

“Futbollin e dua jashtëzakonisht shumë dhe për mua të stërvitem shumë paraqet kënaqësi. Të jem këtu më është dashur shumë punë dhe tani kur kam debutuar me ekipin e parë ndjehem shumë i motivuar për të vazhduar me një ritëm edhe më të shtuar. Nëse debutimi dhe goli janë rekorde të reja në futbollin e vendit, atëherë kjo është falë gjithë atyre që kanë punuar me mua deri tani, e kryesisë që më ka besuar, stafit teknik që më dha shansin të debutoj në këtë moshë dhe bashkëlojtarëve që më mbështetën sikur të jemë pjesë e ekipit të parë shumë vite. Do vazhdoj të punoj që gjithë këto lavda që më drejtohen t’i arsyetoj me paraqitje sa më të mira në të ardhmen”, përfundoi Dashmir Elezi.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME