
Shkëndija koleksionon fitoren e parë në vitin 2023, pasi sot në kuadër të xhiros së 20-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut mundi 1:0 Pobedën në Tetovë. Vendimtar në marrjen e tre pikëve ishte goli i vetëm i Çinarit në minutën e 61-të, derisa me humbjen e Shkupit 2:1 nga Sileksi në Kratovë, kuqezinjtë ngushtojnë diferencën me dy ekipet konkurente për titullin kampion (Struga T&L dhe Shkupi). I kënaqur me mënyrën si shkoi ndeshja e parë para publikut tetovar, autori i golit të fitores Erald Çinari është shfaqur emotiv pas ndeshjes, pasi data e sotme fiksonte një vit nga ndarja nga jeta e babait të tij.
….gol dhe fitore në debutimin në Tetovë….
E. Çinari: “Ndjehem jashtëzakonisht mirë sepse kam pasur një periudhë të gjatë me vështirësi dhe ta festosh debutimin para tifozëve tu, në shtëpinë tënde me tre pikë dhe me golin tënd, nuk kishte si të shkonte më mirë“.
….Festë emocionale dhe gol me dedikim….
E. Çinari: “E vërtëtë, ishte një dedikim! Goli shkon për babain tim, i cili para një viti ndërroi jetë!“
….ngrohtësia e publikut tetovarë ….
E. Çinari: “Të them të drejtën është një emocion në vete. E dija se “Ballistët” janë vërtet entuziast, por që të arrij që në impaktin e parë të kem këtë impakt edhe vetë unë si lojtar te ata për mua don të thotë një arritje shumë e madhe. I falenderoj shumë dhe shpresoj që t’ua shpërblej në fushën e lojës çdoherë që unë luaj.”
….ngecja e rivalëve moment për tu shfrytëzuar?….
E. Çinari: “As që diskutohet kjo gjë.Unë tanisapo e mësova që ata ngecën. Nuk është hera e parë që Shkëndija është në garë për titull. Shkëndija gjithmonë ka qenë pretedente për titull. Sado që t’jenë para, ekipet tjera e kanë frikë dhe do ta kenë frikë Shkëndijën deri në fund. Sido që të jetë, ne do të bëjmë punën tonë, do të ulim kokën, do të stërvitemi çdo ditë në maksimum. E dimë se kemi bërë gabimet tona, por shpresojmë që t’i rikuperojmë gjatë rrugës me punë. Vetëm me punë mund të arrijmë çdo gjë.”