Bejtullai: Peng që s’fituam Shkupin, por paraqitja dhe atmosfera premtojnë

No image

“Nga gjithë ato shanse të paktën një gol duhej ta kishim shënuar. Personalisht kam bindjen se më e mira nga Shkëndija pason në vazhdim të kampionatit”, shprehet mbrojtësi, Egzon Bejtullai.

Kuqezinjtë kishin dy ditë lira nga stafi teknik, pas përballjes së ditës së shtunë me Shkupin. Pauza dy javore e kampionatit shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese i mundësoi trajnerit Qatip Osmani që tu japë futbollistëve pak pushim, para startit të përgatitjeve për atë që pason në kampionat. 

E ndërkohë emocionet nga barazimi 0:0 me Shkupin akoma janë të pranishme në taborin kuqezi, para se gjithash për ambientin e krijuar nga tifozët, por edhe nga dominimi i kuqezinjëve që rezultuan të pafat për të shënuar nga shumë raste të krijuara.

Pasi kemi pushuar dhe me kokë të ftohtë analizojmë ndeshjen, vërtet është gjunah që nuk arritëm të fitojmë. Nga gjithë ato shanse të paktën një gol duhej ta kishim shënuar, por ja që ndodhi të jemi komplet të pafat”, shprehet mbrojtësi, Egzon Bejtullai, që vijon me vlerësimin për publikun tetovarë e më gjërë që mbështesin Shkëndijën.

Realisht na kishte munguar kjo atmosferë dhe një ambient i tillë edhe neve futbollistëve na jep tjetër motiv për lojë. Ishte evidente se me atë mbështetje, ne dhamë mbi 100% në terren dhe nëse duhet veçuar diçka pozitive, atëherë përfundimisht paraqitja e ekipit dhe atmosfera e tifozëve, me “Ballistët” në veçanti janë premtim se gjërat ecin në kahje pozitive”, shton numri “4”.

Nga shumë shanse të humbura, Bejtullai ‘prodhoi’ njërën prej tyre kur “bomba” e tij nga distanca në minutën e 22-të u devijua mbi portë nga portieri i Shkupit, ndërsa në pjesën e dytë për pak nga një pakujdesi e Bejtullait (84’) mund edhe të pësonin. Fatmirësisht vetë Egzoni arriti të përmirësojë gabimin, duke larguar topin para vijës fatale.

Kufiri mes heroit dhe figurës tragjike ndonjëherë është shumë i hollë. Kur je në lojë fokusi është 100% të bësh më të mirën dhe shto këtu adrenalinën që të jep publiku, ndodh edhe të gabosh duke menduar se bën zgjidhjen e duhur. Ashtu ndodhi me mua kur rezultoi gabim ai top i kthyer me kokë drejt Dino-s (Zahovit), mirëpo fatmirësisht shpejt e kuptova çka bëra dhe duke mos u dorëzuar para gabimit, arrita në sekond të fundit të shpëtoj. Sa i përket goditjes që kisha, mund të them se ishte e natyrshme të provonim me gjuajtje nga distanca në kushte kur Shkupi mbyllej me gjithë lojtarët pas. Jo vetëm unë, edhe Cake e Vali (Nafiu) i’u afruan golit me gjuajtje nga larg, por fatkeqësisht nuk mundëm të shënojmë”.

Ndeshja me Shkupin është e kaluar, tani shikojmë para dhe e dimë se na pret shumë punë. Mirëpo besojmë në potencialin tonë dhe personalisht kam bindjen se më e mira nga Shkëndija pason në vazhdim të kampionatit”, deklaron Bejtullai i kthyer së fundmi në ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut për ndeshjet e Ligës së Kombeve me Gjeorgjinë dhe Bullgarinë.

Për çdo lojtar ftesa nga ekipi përfaqësues paraqet kënaqësi, sepse në një farë mënyre është vlerësim për punën që bën në klub. Kam qenë i qetë edhe kur ka munguar ftesa, duke u përqendruar të stërvitem e të paraqitem sa më mirë me Shkëndijën. Koha tregon se gjërat vijnë në vendin e vet”, përfundon Bejtullai.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME