B. Ibraimi dhe Alimi i qëndrojnë besnik Shkëndijës

No image

Kuqezinjtë mbajnë në përbërje dy prej futbollistëve më të mirë që kanë luajtur në elitën vendore, duke zyrtarizuar zgjatjen e bashkëpunimit me Besart Ibraimin dhe Armend Alimin.

KF Shkëndija konfirmon firmosjen e kontratave të reja me Besart Ibraimin dhe Armend Alimin. Dy futbollistët me kontrata të skaduara dhe status të futbollistëve të lirë, nuk janë joshur nga ofertat e shumta nga klube të ndryshme prej jashta vendit, duke vendosur t’u qëndrojnë besnik ngjyrave kuqezi. Golashënuesi më i mirë në historinë e elitës së futbollit vendor B. Ibraimi dhe fantazisti Alimi me kontratat e reja lidhen me Shkëndijën deri verën e vitit 2022.

“Ky klub dhe këta ngjyra më ngjallin pasion dhe ishte zemra ime ajo që solli vendimin për të firmosur kontratë të re. Për Shkëndijën dhe ‘Ballistët’ kam dashuri të zjartë, kështu që jam i lumtur që do të vazhdoj të djersis këtë fanellë. Ndjej ende etje për gola dhe besoj se bashkarisht na presin shumë suksese e trofe”, deklaroi Besart Ibraimi.

“Gjashtë vite fantastike me trofe e shumë suksese në skenën vendore dhe ndërkombëtare më lidhin shumë me Shkëndijën dhe Tetovën, kështu që aspak se kisha të vështirë për të zgjatur bashkëpunimin edhe për periudhën që pason. Tani kur kjo u zyrtarizua, kthejmë fokusin ka e ardhmja për të ndjekur të tjera suksese. Besoj se kjo skuadër se ka thënë fjalën e fundit dhe në të ardhmen na presin shumë gëzime”, shprehet Armend Alimi.

Kujtojmë se Besart Ibraimi është pjesë e Shkëndijës nga vera e vitit 2015, ndërsa gjatë pesë viteve të kaluara theu të gjitha rekordet e golave në nivel të klubit dhe Ligës së Parë. Përkundër kësaj, golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit elitar të Maqedonisë ende duket i etshëm për gola tjerë dhe kuqezinjtë me mbajtjen e tij ruajnë në përbërje asetin më të fuqishëm para portave kundërshtare.

Ndërkohë Armend Alimi që po ‘harxhon’ vitin e 6-të me kuqezinjtë, gjithashtu me paraqitjet e tij ka futur emrin në historinë e klubit. Pjesë e sukseseve më të mëdha në historikun e Shkëndijës, kumanovari është një prej futbollistëve më me ndikim në këtë periudhë. Sezonin e fundit të ndërprerë shkaku i pandemisë me virusin CoVid-19 Alimi kishte efektin më të mirë në karrierë sa u përket golave të shënuar, pasi me 9 realizime ishte golaedori më i mirë i ekipit.

Me B. Ibraimin e Alimin shkon në gjashtë numri i futbollistëve që zgjatën bashkëpunimin me kuqezinjtë, pasi paraprakisht kontrata të reja firmosën Mevlan Murati, Valmir Nafiu dhe Zija Merxhani, ndërkohë lëvizjet e para në merkato ishte kthimi i reprezentuesit Egzon Bejtullai nga Suedia dhe Arlind Alitit nga huazimi te Struga Trim&Lum.

Share Now

Related Post