Alimi: “Në fazën e fundit të konfirmohemi kampionë”

No image

Besoj fuqishëm se në fund do të jemi ne ata që bashkë me mbështetësit tanë do t’i gëzohemi titullit të kampionit, të katërtin në historinë e Shkëndijës. Pandemia ka lëkundur gjithë botën, nuk ishte e lehtë të menaxhohet kjo situatë dhe patjetër të jemi të kënaqur me ecurinë”, shprehet mes tjerash Armend Alimi.

Shkëndija hyn nga “pole position” në fazën e tretë dhe vendimtare të kampionatit elitar të vendit, pasi skuadra ka menaxhuar epërsi prej 7 pikëve pas dy fazave të para të edicionit të sivjetshëm në LPFMV. Përkundër dy barazimeve të fundit pa gola me Rabotniçkin dhe Renovën, kuqezinjtë janë ekipi më i mirë i kampionatit në të gjitha segmentet dhe si bartës ‘legjitim’ të vendit të parë me të drejtë dukemi skuadra favorite për të fituar titullin e kampionit.

Me 47 pikë të tubuara, kuqezinjtë kanë fituar 13-të ndeshje që është më shumë se çdo ekip tjetër në kampionat, kemi sulmin më të mirë të kampionatit me 40 gola të shënuar, ndërsa jemi ekipi me më pak gola të pranuar, vetëm 14-të deri tani. Faza e tretë starton të dielën dhe sjell 11-të përballje në të cilat Shkëndija kërkon të konfirmohet ekipi më i mirë i vendit.

Alimiiii për 2-1 🔥 #ShkëndijaVardar

Posted by KF Shkëndija on Sunday, February 28, 2021

“Besoj fuqishëm se në fund do të jemi ne ata që bashkë me mbështetësit tanë do t’i gëzohemi titullit të kampionit, që do të jetë i katërti në historinë e Shkëndijës. Me gjithë lëkundjet që kemi mundur t’i kemi, tabela dhe rezultatet tregojnë se jemi ekipi më i mirë dhe duke qenë se me meritë jemi lider pas dy fazave të para, në fazën e tretë dhe të fundit ne duhet të konfirmojmë pozicionin tonë si kampionë të vendit”, shprehet mesfushori Armend Alimi, i cili sezonin e kaluar të ndërprerë shkaku i pandemisë me COVID-19 me 9-të realizime ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës, ndërsa në këtë kampanjë kundër Vardarit gjeti golin e parë.

“Do të pajtoheni kur them se të gjithë jetojmë në kohëra të çuditshme që kurrë më parë nuk i kishim provuar. Pandemia ka lëkundur gjithë botën dhe sado që nuk dua të tingëllojë si arsyetim, besoni se gjithë kjo ndikon në mungesën e një qendrueshmërie qoftë në ecurinë kolektive, apo edhe asaj individuale. Ndërprerja e sezonit, paqartësitë nëse do vazhdojë, ushtrimet individuale në ambient shtëpiak, starti pas tre muajve dhe përgatitjet me një numër të madh të kufizimeve e rregullave për mbrojtje, formati i ri me nga vetëm një ndeshje në Europë, testimet e vazhdueshme dhe kohë pas kohë edhe rastet pozitive,…! Janë gjithë këto gjëra që nuk është lehtë të menaxhohen dhe kur shikojmë se jemi në vend të parë, patjetër të jemi të kënaqur me ecurinë e deritashme”, thotë Alimi, duke vijuar.

“Personalisht e kam ndjerë shumë. Fillimisht jam prekur nga virusi dhe nuk munda të jem pjesë e skuadrës në ndeshjen me Sumqayit FC në Azerbajxhan. Më vonë për fat të keq u godita rëndë pasi humba babain dhe më është dashur forcë shtesë për të menaxhuar gjithë këtë situatë. Por, janë sfida që sjell jeta dhe ne duhet të shikojmë përpara. Tani më e rëndësishme është që në 11-të xhirot e ardhshme të kërkojmë të jemi në nivel sa më të lartë, të sigurojmë titullin e kampionit, që ishte objektivi ynë kryesor prej fillimit të sezonit, ndërsa më pas të mendojmë për të ardhmen dhe paraqitjet në Europë”, përfundoi fantazisti kumanovarë, Armend Alimi.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME