Zhvillohet seanca e fundit stërvitore para duelit me Nomme Kalju

Shkëndija ‘njoftohet’ me terrenin e “Kadrioru Staadion” në kryeqendrën estoneze ku të martën nga ora 19:00 (ora 18:00 CET) luhet kundër Nomme Kalju.

Futbollistët kuqezi kanë mbyllur përgatitjet për ndeshjen e parë zyrtare për sezonin garues 2019/2020 në UEFA Champions League. Shkëndija sonte ushtroi në “Kadrioru Staadion” të Talinit, ku të martën përballet me kampionin e Estonisë, Nomme Kalju. Paralel me ‘testimin’ e terrenit ku do të luhet ndeshja, skuadra nën drejtimin e stafit teknik realizoi pjesën e fundit të përgatitjeve për këtë sfidë të parë në Champions League. Megjithëse trajneri Osmani ka në mendje formacionin që do të nisë ndeshjen, të njejtin do ta konfirmojë gjatë ditës së martë.
Debutim në një ndeshje zyrtare me fanellën kuqezi pritet të ketë mesfushori Zeni Husmani i bashkuar me Shkëndijën në fillim të vitit, por që fiton të drejtë loje vetëm tani, ndërkohë në kombinim do të jetë edhe afrimi i kësaj merkatoje, Mexhit Neziri.

Shkëndija për herë të 8-të merr pjesë në Europë, prej të cilave kjo do të jetë hera e tretë në eliminatoret e UEFA Champions League (pas viteve 2011 dhe 2018). Kuqezinjtë tre vite rresht luajnë në Play Off të Europa League dhe kjo ecuri bën që në duelin me Nomme Kalju të shihemi si favorit.

Kundërshtari
Sa i përket skuadrës vendase Nomme Kalju, kjo do të jetë hera e 10-të që sigurojnë pjesëmarrje në eliminatoret e Kupave Europiane, e dyta në UEFA Champions League pas vitit 2014 kur kishin fituar për herë të parë titullin e kampionit. Bëhet fjalë për skuadër që nuk njeh ndonjë ecuri të dalluar në Europë, por nuk duhet nënçmuar pasi e kaluara tregon se kanë ditur të befasojnë duke eliminuar ekipe si HJK Helsinki i Finlandës, Aktobe nga Kazakistani, Trakai i Lituanisë apo Maccabi Haifa i Izraelit. Nga 32 ndeshje europiane numërojnë 15 disfata, 9 barazime dhe 8 fitore.
Stadiumi i tyre “Hiiu” nga paralagja e Talinit me emrin e njejtë ka kapacitet prej 900 vendeve dhe nuk është i liçencuar për ndeshje të këtij niveli, prandaj Nomme Kalju takimet si vendas në Europë i luan në “Kadrioru Staadion” që ka kapacitet prej 5 000 vendeve. Thuajse asnjëherë nuk mbushet (vetëm në vitin 2014 kundër HJK Helsinkit ka qenë i mbushur në kapacitet të plotë) dhe përkundër pretendimeve të vendasve për praninë e rreth 1 200 spektatorëve të martën kundër Shkëndijës, numri i tifozëve nuk besohet të jetë mbi 300, kryesisht familjarë të lojtarëve dhe rreth 30 persona grup i organizuar i tifozëve.

Takimi Nomme Kalju-Shkëndija luhet të martën në Talin të Estonisë me fillim në orën 19:00 (18:00 CET).

Share Now

Related Post