Fjala e z. Lazim Destani

No image

17/05/2021

Shkëndija ka festuar të dielën titullin kampion për herë të katërt në histori dhe i pari i klubit, z. Lazim Destani përmes një postimi në rrjetet sociale ka uruar gjithë familjen kuqezi për suksesin e rradhës.

“ Me përmbylljen e stinorit të futbollit 2020/’21 në Maqedoninë e Veriut, kam kënaqësinë në radhë të parë t’ua përcjell urimet e mia lojtarëve të KF Shkëndija dhe gjithë stafit të klubit për titullin kampion i vendit. Gjithashtu urime ju përcjell tifozëve të Shkëndijës kudo që jeni, anembanë trojeve tona me tifo-grupin pararojë ‘Ballistët’ që gjithmonë i qëndron pranë skuadrës kuqezi.Në këtë sezon diktuar nga ndryshimet që i ka sjellë pandemia, mungoi gjallëria dhe emocionet që në ndeshjet e futbollit vijnë nga tribunat e mbushura me spektatorë. Uroj që sa më shpejt të kalojë periudha e pandemisë duke i lënë prapa të gjitha sfidat që ka sjellë ajo. Në mënyrë të veçantë falënderoj për prezencën e tyre kryetarin e FShF Armand Duka, kryetarin e FFK Agim Ademi dhe kryetarin e FFMV Muhamet Sejdini.Poashtu më gëzuan urimet nga të gjithë mbështetësit kudo që janë, përfshirë dhe liderët e të gjitha partive politike në vendin tonë, sadoqë të gjithë të ftuar, disa prej tyre nuk arritën të jenë prezent fizikisht.Futbolli e ka forcën e tejkalimit të të gjitha dallimeve, nga cilado sferë qofshin ato, këtu e gjejnë kënaqësinë të gjithë ata që e duan dhe kënaqen me këtë sport kaq popullor.Dëshiroj që gjatë kësaj vere Shkëndija në Kupat Europiane të arrijë suksese sa më të larta, duke u sjellë gëzim dhe emocion tifozëve të saj kuqezi e duke na bërë krenar të gjithëve! “.

27/08/2019

Komunikatë nga Lazim Destani

Pas paraqitjeve të dobëta të skuadrës gjatë kësaj vere, si në ndeshjet europiane ashtu dhe në ndeshjet e para të kampionatit të vendit, me komunikatë për opinionin flet z. Lazim Destani.

Në vijim po jua sjellim të plotë këtë komunikatë:

“Të nderuar sportdashës, tifozë dhe dashamirës të KF Shkëndija.

Me këtë paraqitje timen në këtë fillim kampionati, dua ta shpreh pakënaqësinë time lidhur me nivelin e paraqitjes dhe rezultatet e dobëta të Shkëndijës të cilat po shënojnë një rënie dëshpëruese që s’duhet lejuar të vazhdojë më tej.

Gjatë kësaj vere, ne nuk po e shikojmë atë Shkëndijë që u mësuam ta shohim tash e sa vite. Skuadra në vend që të avancojë me sukseset e saja, në ndeshjet europiane ndodhi e kundërta, Shkëndija nuk i solli rezultatet që në mënyrë të arsyeshme i prisnin tifozët e kuqezinjve.

Pas eliminimit në kompeticionet europiane, Shkëndija i është kthyer kampionatit të vendit ku tashmë janë zhvilluar tre xhirot e para.

Humbjet e dy ndeshjeve të para dhe mungesa e rezultatit pozitiv në ndeshjen e xhiros së tretë janë tejet zhgënjyese, si për mua e rrethin tim ashtu dhe për tifozët e Shkëndijës e për ‘Ballistët’. Këto rezultate të dobëta paraqesin tregues aparent se këtu diçka nuk po funksionon siç duhet.

I shtyrë nga këto rrethana, dua ta njoftoj opinionin sportdashës se unë tashmë kam ngritur një grup profesional pune i cili menjëherë ka nisur me shqyrtimin e gjendjes në klub për të konstatuar të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet që duhet bërë në të gjithë sektorët e klubit.

Unë pres që brenda disa ditësh ky grup profesional ta përmbyll punën në mënyrë që KF Shkëndija t’i rikthehet formës më të mirë për t’vazhduar garën në kampionatin e vendit ashtu siç duan ta shohin dhe siç e meritojnë të gjithë tifozët dhe dashamirësit e klubit.”

20/05/2019

Lazim Destani uron kuqezinjtë për titullin

Shkëndija të dielën pranoi trofeun për titullin e kampionit në sezonin aktual 2018/2019, ndërsa një ditë pas festës z. Lazim Destani me një letër të hapur ka uruar gjithë ata që ndjejnë veten të afërt me skuadrën kuqezi.

“E nderuara familje e madhe kuqezi, të nderuar lojtarë të KF Shkëndija, trajnerë, staf i administratës, gjithë ju që jeni pjesë e klubit dhe ju të nderuar spektatorë të skuadrës sonë të përbashkët.

Jam i gëzuar që ne të gjithë së bashku vazhdojmë të shënojmë momente të reja suksesi me skuadrën tonë të dashur, me Shkëndijën. Në mënyrë të veçantë më gëzon titulli i ri i kuqezinjve tanë, kampion shtetëror, duke manifestuar edhe në këtë stinor dominim në elitën e futbollit në vendin tonë.

Jemi krenarë që hap pas hapi po arrijmë që premtimet t’i kthejmë në vepra dhe uroj e besoj që të gjithë së bashku do të vazhdojmë të ecim përpara me këtë rritëm zhvillimi.

Çdo titull i fituar e ka shijen e vet, ndërsa e veçanta e sivjetme është se Shkëndija po e prek një tjetër moment historik, pra për herë të parë sivjet Shkëndija e mbrojti titullin e kampionit.

Katër trofe brenda tre viteve është arritje historike për Shkëndijën dhe duke i ditur ambicjet tona të përbashkëta, këto suksese na inkurajojnë të punojmë me përkushtim akoma më të madh drejt sfidave të reja që i kemi në rrugën e ecjes sonë përpara.

Jam i bindur se Shkëndija do të vazhdojë punën me dedikim për ta dominuar skenën e futbollit në vend. Por në të njëjtën kohë, ne duam ta bëjmë edhe hapin tjetër të radhës në Kupat e Europës. Tashmë tre vitet e fundit Shkëndija po arrin play-off-in në garën e Europa Ligës, ndërsa uroj që sivjet ta kalojmë këtë prag e ta shijojmë bukurinë e hyrjes në grupe. Besoj se tash para vetes kemi një verë tjetër përplot me emocione e kënaqësi që do të na sjellin paraqitjet e Shkëndijës në Europë. Uroj me kuqezinjtë të shijojmë sa më shumë suksese e gëzime.

Duke ju falënderuar ju mbështetësve të Shkëndijës që gjithmonë i qëndroni pranë skuadrës suaj të zemrës, dhe në veçanti tifogrupin e Ballistëve, – ju ftoj të qëndrojmë të bashkuar në rrugën e Shkëndijës kuqezi drejt sukseseve të reja.”

Z. Lazim Destani uron ekipin pë fitoren në Champions

Kuqezinjtë të martën shënuan një faqe të re në historinë e klubit, duke regjistruar fitoren e parë në eliminatoret e Champions League me triumfin 5:0 përballë kampionit të Uellsit, The New Saints FC. Kjo paraqitje ka lënë të gëzuar edhe z. Lazim Destani i cili përmes profilit të tij në facebook ka uruar skuadrën dhe tifozët për gëzimin e radhës europian.

“Urime Shkëndija!
Urime ‘Ballistë’ dhe të gjithë ju tifozëve të skuadrës kuqezi!

Mbrëmë në Shkup, ndeshja e Shkëndijës me skuadrën The New Saints FC nga Uellsi na solli 90 minuta gëzimi dhe shpërthim emocionesh pa fund. Kjo është bukuria e futbollit të skuadrës së Shkëndijës që na bën krenarë të gjithëve që me ëndje e ndjekim nga tribunat e stadiumeve si dhe nga ekranet televizive kudo që ndodhemi. Ishte kjo një ndeshje e bukur, pamë aksione dhe pesë gola të mrekullueshëm, dhe sigurisht u kënaqëm pasi të gjithë u realizuan në portën e skuadrës mysafire.
Fitorja e Shkëndijës në stadiumin e qytetit mbrëmë në Shkup është një hap gjigant dhe premtues për rrugëtimin e kuqezinjve në ndeshjet europiane. Kjo fitore gjithashtu paraqet sukses historik për Shkëndijën pasi është e para fitore e Shkëndijës në këtë kompeticion europian, në Ligën e Kampionëve.
Uroj që Shkëndija edhe në ndeshjen e kthimit në Uells të na sjellë fitore e kënaqësi, si dhe të vazhdojë me po këtë frymë e përkushtim në ndeshjet që vijnë pas, në Ligën e Kampionëve.
Gëzuar dhe ju uroj fitore të reja!”

  • 30/05/2018

Z. Lazim Destani uron ekipin për sezonin historik

Me rastin e mbylljes të sezonit garues 2017/2018 në të cilin KF Shkëndija dominoi si asnjëherë më parë duke fituar trofetë në kampionat dhe Kupë, z. Lazim Destani uron ekipin dhe tifozët për kampanjën historike.

Të nderuar tifozë të KF Shkëndija, futbollistë, stafi teknik dhe kryesi e klubit,
Kam kënaqësinë, tash me përfundimin e këtij stinori, t’ju drejtohem me një arsye të fuqishme, – Titulli i dyfishtë si dhe dominimi admirues i Shkëndijës në futbollin vendës.
Shkëndija sapo e ka mbyllur me sukses të shkëlqyeshëm stinorin e sivjetëm. Këto arritje të Shkëndijës tashmë e kanë shkruar faqen më të lavdishme të historikut të klubit. Mbyllja e kampionatit 2017/18 solli festë të dyfishtë për Kuqezinjtë tanë së bashku me tifozët, për ‘Ballistët’ dhe për të gjithë adhuruesit e Shkëndijës kudo që ata ndodhen. Është hera e parë që KF Shkëndija i solli në Tetovë të dy trofetë së bashku, duke fituar si Kampionatin e vendit ashtu dhe garën e Kupës. Me këtë rast po e potencoj se krahas fitoreve të njëpasnjëshme, skuadra jonë ka bërë lojë të bukur duke u sjellë emocione dhe kënaqësi aq shumë tifozëve që me ëndje i presin dhe i ndjekin ndeshjet e Shkëndijës. Gjithashtu është krenari dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që për sukseset dhe rekordet e Shkëndijës këto ditë po na arrijnë gjithë ato letra urimi nga vendi, rajoni si dhe nga shumë institucione dhe klube futbolli nga vende të ndryshme europiane. Me këtë rast, në emrin tim e të klubit, përzemërsisht i falënderojmë të gjithë dashamirësit tanë.


Krahas sukseseve të ekipit të parë të Shkëndijës, janë për t’u vënë re arritjet dhe sukseset e grup-moshave të klubit kuqezi duke dalë fitues të Kampionatit dhe të Kupës së vendit në kategoritë përkatëse. Këta i meritojnë lëvdatat më të larta për arritjet që flasin qartë dhe janë treguesit më të mirë se e ardhmja e Shkëndijës është me perspektivë dhe e sigurt. Me këto grup-mosha duhet të vazhdojë puna konsekuente e me përkushtim duke i aplikuar metodat më të përshtatshme për avansimin dhe çuarjen e tyre drejt sukseve gjithnjë e më të larta.
Pas dy sezoneve shumë të suksesshme radhazi në Europë, uroj që edhe sivjet të dalim përballë skuadrave europiane akoma më të fortë, më të guximshëm dhe me vetëbesim të plotë. Në dy edicionet e fundit në Europë, ju futbollistët e Shkëndijës, vërtet nuk arritët ta kaloni pragun e të hyni në fazën e grupeve, por ju me nivelin e lartë të lojës suaj dhatë prova bindëse se jeni të denjë për ta bërë këtë.


Andaj, duke i lënë prapa sukseset e arritura në kompeticionet e vendit, ju uroj – paçi pushime të këndshme këto ditë dhe pas pushimit, ju shkofshin mbarë e mirë përgatitjet në Slloveni. Uroj gjithashtu gjatë ndeshjeve në Europë t’i tregoni shkathtësitë tuaja maksimale, t’i realizoni ambicjet dhe ëndrrat tuaja duke ecur me Shkëndijën drejt sukseseve të reja.
Urime për arritjet!
Paçim fitore, suksese të reja dhe festa e gëzime së bashku!

  • 21/05/2018

Të dashur miq, këtë postim sot ia dedikoj Shkëndijës për titullin e kampionit të fituar në kampionatin e vendit. Pas ndeshjes së fundit të këtij stinori dje, në sheshin e Tetovës pasoi festa e madhe e Shkëndijës ku u mblodhën me mijëra tifozë e dashamirës të Shkëndijës për ta festuar të gjithë së bashku këtë fitore historike të klubit Kuqezi.

Andaj, këtë kënaqësi po e ndaj me ju duke ua përcjellë urimet e mia futbollistëve të Shkëndijës, stafit teknik, menaxhmentit të klubit, tifozëve e ‘Ballistëve’ si dhe të gjithë atyre që me ëndje i ndjekin sukseset e Shkëndijës.

Me këtë rast, urime të veçanta për sukseset e tyre, u përcjell edhe grup-moshave të reja të Shkëndijës, U19, U18, U17 dhe U16 të cilat, mbyllja e garava të sivjetme, që të gjitha i gjeti në krye të tabelave përkatëse. Këto suksese flasin qartë për realizimin e synimeve tona ndërsa në futbollin vendës, këtë vit mund ta quajmë – Viti i Shkëndijës.

Uroj dhe shpresoj që edhe në ndeshjen finale pasnesër për Kupën e Maqedonisë, Kuqezinjtë e Shkëndijës ta sjellin në Tetovë edhe këtë trofe duke u shpallur kampionë të dyfishtë, si në kompeticionin e Ligës ashtu dhe në atë të Kupës së vendit.

Gjithashtu uroj që Shkëndija, tashmë e kualifikuar për të garuar në Ligën e Kamipionëve, të na gëzojë me lojë të bukur dhe fitore edhe në këtë kompeticion të nivelit më të lartë në futbollin europian.


  • 23/04/2018

Z. Lazim Destani uron skuadrën për titullin e kampionit

Emocionet për shpalljen kampion të Shkëndijës në Ligën e Maqedonisë akoma po vazhdojnë, ndërkohë z. Lazim Destani ju drejtohet tifozëve dhe klubit me mesazh urimi.

Ju lumtë Shkëndija!

Ndeshja e djeshme e Shkëndijës solli gëzim për skuadrën, për stafin dhe drejtuesit e klubit, për ‘Ballistët’ si dhe për gjithë ata tifozë që me ëndje e ndjekin Shkëndijën, si nga tribunat ashtu dhe nga larg, nëpërmjet ekraneve. Edhe mua kësaj radhe më ndodhi ta ndjek ndeshjen nga larg, dhe që andej sot desha ta ndaj këtë gëzim së bashku me ju miq dhe dashamirës të Shkëndijës.

Tashmë Shkëndija edhe zyrtarisht u shpall kampione e këtij stinori. Është ky një sukses për t’u shënuar, titulli kampion – i dyti në historikun e klubit ndërsa i pari pas marrjes nën përkujdesje nga Ecolog.
Jam i lumtur që erdhi koha ta shikojmë skuadrën e Shkëndijës kështu të konsoliduar, kompakte e me vetëbesim të plotë. Unë e çmoj lart frymën e harmonisë brenda skuadrës por edhe brenda klubit në përgjithësi. Kjo frymë pozitive është atributi që skuadrës i sjell siguri dhe guxim përballë cilësdo skuadër në fushën e gjelbër.
Sadoqë për Shkëndijën kampionati tashmë quhet i mbaruar, skuadrën e presin sfida të reja për të cilat duhet të punohet me përkushtim dhe unë jam i bindur se të gjithë ju në klub, lojtarët, stafi teknik dhe menaxhmenti, për këtë jeni të vetëdijshëm dhe do ta bëni më të mirën për të vazhduar ecjen në rrugën tuaj drejt sukseseve të reja. Sukseset e këtilla të skuadrës kanë qenë ndër synimet tona dhe sigurisht që na motivojnë për t’i qëndruar pranë klubit e për ta përkrahur gjithnjë e më shumë.
Me rastin e shpalljes së KF Shkëndija kampion të këtij stinori po jua përcjell urimet e mia më të mira ju lojtarëve, stafit teknik si dhe menaxhmentit të klubit. Në mënyrë të veçantë ju uroj gjithë juve mijëra tifozëve që me ëndje e ndiqni skuadrën tuaj të zemrës si dhe ju ‘Ballistëve’ që gjithmonë jeni aty ku janë kuqezinjtë e Shkëndijës suaj duke e mbështetur skuadrën e zemrës në mënyrë gjithnjë e më të civilizuar.

Urime të gjithëve së bashku!

Paçi shëndet dhe suksese me fitore dhe arritje të reja!


  • 25/07/2017

Lazim Destani zyrtarizon Bordin Mbikëqyrës dhe presidentin e ri

Paralelisht me udhëtimin e suksesshëm europian dhe përgatitjet për sezonin e ri 2017/2018 në LPFM, KF Shkëndija kompleton ndryshimet e paralajmëruara nga z. Lazim Destani. Është formuar Bordi Mbikëqyrës që do të drejtohet nga vetë z. Destani, ndërsa zyrtarizohet Visar Bexheti si president i ri i klubit.

Lazim Destani sot ka zyrtarizuar Bordin Mbikëqyrës të KF Shkëndija dhe presidentin e ri të klubit. Ashtu siç paralajmëroi në përfundim të stinorit të kaluar, z. Destani bën hapin e radhës në drejtim të konsolidimit të pozitave udhëheqëse në klub. Pasi hapi i parë në këtë drejtim ishte prurja e Qatip Osmanit në pozitën e shefit të stafit teknik, tani vendoset për formimin e Bordit Mbikëqyrës dhe emërimin e kryetarit të ri. Z. Destani zyrtarizon Visar Bexhetin si president të ri të Shkëndijës, që tashmë ai ka nisur punën në këtë detyrë.

Presidenti i ri Visar Bexheti ka lindur në Tetovë, ka magjistruar për “Marrëdhënie Ndërkombëtare” në UEJL, ndërsa në klub vjen nga biznesi privat që operon në disa vende europiane.

Ndërkohë ka përfunduar formimi i Bordit Mbikëqyrës gjashtë-anëtarësh që do të udhëhiqet nga vet z. Lazim Destani. Emrat e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës do të bëhen publik së shpejti, ndërsa bëhet fjalë për ekspertë me përvojë të pasur ndërkombëtare në fushën e futbollit.

Me këto ndryshime z. Destani beson t’i ketë konsoliduar pozitat udhëheqëse në drejtim të funksionimit të mirëfilltë të klubit dhe realizimit të objektivave, ndërsa bashkë me Bordin Mbikëqyrës do të jetë në përcjellje të zhvillimeve dhe sukseseve në KF Shkëndija.


  • 24/05/2017

Kumtesë e z. Lazim Destani

Pas takimit të mbrëmshëm në zyrat e klubit me kryesinë e KF Shkëndija, z. Lazim Destani del me kumtesë publike në profilin e tij zyrtar në rrjetin social në Facebook.

Në vazhdim ju sjellim kumtesën e plotë:

“Të nderuar tifozë dhe dashamirë të Shkëndijës,

Klubi futbollistik Shkëndija, që tanimë është shndërruar në emblemë të qytetit tonë dhe krenari e shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë, vazhdon të jetë ëndrra e çdo tifozi. Të gjithë duam ta shohim atë në piedestal me rezultatet më të mira në nivel vendi e në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Jo gjithmonë tifozët dhe mbarë publiku kanë qenë të kënaqur me rezultatet dhe arritjet e klubit të tyre të zemrës. Aq më tepër, pasi nuk ka munguar përkrahja e parezervë financiare dhe as mbështetja e përzemërt e publikut futbolldashës. Ju të gjithë, që i keni besuar sponsorit dhe kapaciteteve tona, me të drejtë keni pritur rezultate shumë më të larta. Po këto rezultate i kam pritur edhe unë duke e dhënë maksimumin që Shkëndija jonë e përbashkët të shkëlqejë në çdo pikëpamje, të jetë lider dhe ta bëjë krenar çdo tifoz të vetin. Nuk kemi kursyer fare duke përmbushur çdo kërkesë të stafit teknik, futbollistëve dhe administratës së klubit për të arritur te suksesi i dëshiruar e për t’i gëzuar tifozët shqiptarë dhe gjithë ata që i ndjekin me kënaqësi sukseset e Shkëndijës. Klubi i Futbollit Shkëndija, siç është thënë shumë herë, është një aset kombëtar që ka bërë histori dhe bart me vete sakrificën, krenarinë dhe nostalgjinë e gjeneratave që dhanë shumë për Shkëndijën për t’mos u shuar ky klub kurrë e për tu ngjitur gjithnjë lart e më lart.

Ishin pikërisht tifozët e shumtë, sidomos ‘Ballistët’ e rritur me ngjyrat e klubit kuqezi, ata që e bindën kompaninë tonë të marrë përsipër sponsorimin e klubit. Andaj, pa hezituar aspak, respektuam kërkesën dhe e bëmë realitet dëshirën aq entuziaste të tyre që ne si kompani të jemi sponsor të Shkëndijës.
Të dashur ballistë dhe gjithë ju tifozë të Shkëndijës, njësoj si Ju edhe ne kemi pritur që ekipi ynë sot të ishte lider në tabelë e t’i kishte fituar të gjithë trofetë dhe të konkurronte në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht sot ne si sponsor, dhe ju si tifozë e ndajmë zhgënjimin e thellë e të përbashkët. Humbjet janë të dyfishta, si nga mungesa e gëzimit dhe krenarisë ashtu dhe nga aspekti financiar. Për hir të së vërtetës, zhgënjimi i tifozëve është dhembja jonë sepse edhe ne vet përveç si sponsor jemi edhe tifozë të kahmotshëm të klubit dhe zhgënjimi i tifozerisë është ajo që na shqetëson dhe dhemb më së shumti. Por, një gjë është e sigurt, se ne si sponsor dhe ju si tifozë të flaktë e kemi bërë të pamundurën që të dalim triumfues.

Sot, unë ndodhem para një sfide dhe një pikëpyetje të madhe, – Çka më tej me Shkëndijën?!
Për dekada me radhë, udhëtimi ynë në rrugët e biznesit që po zhvillojmë anembanë botës, ka qenë përplot sfida e sakrifica por ka njohur vetëm suksese. Në parim, ne nuk jemi ndalur asnjëherë dhe para sfidave nuk jemi dorëzuar kurrë. Andaj, duke mos e pranuar dështimin si opcion, ne si sponsor të Shkëndijës duam me po këtë parim e përkushtim ta shikojmë edhe të ardhmen e klubit tonë të zemrës.

Vendimi ynë për tu përkujdesur për Shkëndijën ishte me qëllimin më fisnik, ishte thjeshtë një kontribut për sportin, futbolldashësit dhe për të gjithë ata që e kanë në zemër Shkëndijën e ngjyrave kuqezi, përfshirë gjithë historikun e lavdishëm të saj. Gjatë këtyre katër viteve që po e financojmë klubin, ne nuk kemi ndërhyrë në mënyrën e menaxhimit të brendshëm të klubit me qëllim që klubi të krijojë autonominë e menaxhimit profesional. Këtu mos harojmë që kryesia e klubit nuk është ajo që duhet ta bëjë lojën në fushë e të shënojë fitore por janë futbollistët, për të cilët nuk kemi kursyer aspak.
Sidoqoftë, sukseset kanë munguar dhe në një mënyrë, edhe ne po e ndiejmë peshën e përgjegjësisë. Andaj, kjo ndjenjë e pakëndshme po na shtyn drejt dilemës nëse duhet vazhduar më tej, apo si duhet bërë!

Fakti që klubi nuk arriti t’i gëzojë tifozët e shumtë dhe ‘Ballistët’ që me aq dëshirë dhe emocion i kanë pritur fitoret dhe sukseset e Shkëndijës, më brengos thellë dhe më shumë se gjithçka.
Mua më ka mbetur që këto ditë t’i bëj disa konsultime dhe pastaj të vendos rreth hapave të mëtejmë të veprimit tonë.“.

  • 23/02/2016

Z. Lazim Destani flet para startit të sezonit pranveror

Një ditë para fillimit të gjysmësezonit pranveror në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, z. Lazim Destani me një fjalë përshëndetëse u drejtohet të gjithë atyre që ndjejnë veten ‘kuqezi’.

Të dashur miq, simpatizantë dhe anëtarë të KF “Shkëndija”

Kaluan tashmë dy vite e gjysmë nga koha kur e morëm përsipër menaxhimin dhe sponsorimin e KF Shkëndija, pra nga momenti kur klubit të zemrës i thamë, “PO, Shkëndija”.

Siç e dini, para fillimit të stinorit 2013/14, Klubin e gjetëm në një situatë kur nevoja për mbështetje financiare dhe menaxhim të mirë përbënte domosdoshmëri emergjente për mbijetesë. KF Shkëndija gjendej në krizë të thellë financiare dhe në shpërbërje e sipër. E vetmja gjë që nuk e kishte humbur fare madhështinë dhe shkëlqimin ishte Emblema e lavdishme kuqezi prapa së cilës qëndronte gjithë ai mal vuajtjesh, sakrificash dhe përpjekjesh me shpirt triumfues. Në këto momente krize për klubin, e pamë të lënduar shpirtërisht grupimin ‘Ballistët’ të cilët, me aktivitetet e tyre, po bënin të pamundurën për të gjetur zgjidhje për klubin. Gjenerata të tëra futbollistësh, tifozë e qytetarë të shumtë duke nisur nga themeluesit e klubit, dhanë kontribut të paçmueshëm dhe ndër dekada u bënë ballë stuhive të njëpasnjëshme për ta mbajtur ndezur këtë vatër sporti e cila me kalimin e kohës po bëhej krenaria e të rinjve shqiptarë të kësaj ane.

Para stinorit të sivjetmë, 2015/16, në vitin e tretë të konsolidimit të Shkëndijës dhe në përputhje me zotimet dhe konceptin e zhvillimit të klubit, kemi përcaktuar targete të larta. Përkundër rrethanave të vështira infrastrukturore, jemi në rrugë të mbarë drejt realizimit të synimeve tona. Uroj dhe shpresoj që së bashku me Ju t’i përmbushim ato dhe në fund të stinorit, t’i shijojmë sukseset.

Motoja jonë e përbashkët, “Shkëndija mbi të gjitha”, nuk është vetëm një refren që tingëllon bukur. Ajo kërkon përkushtimin e të gjithëve sepse të gjithë ne e dimë arsyen pse Shkëndija është më shumë se një klub sporti. Sot “Shkëndija” në shumë aspekte është një klub unik, – ja në vijim vetëm disa prej tyre:

–  Historiku i klubit, përplot sakrifica të gërshetuara me substancën tonë shpirtërore kuqezi, përbën arsyen që më së shumti na detyron ndaj Shkëndijës. E çmojmë lartë kontributin që kanë dhënë të gjitha strukturat, anëtarët, simpatizantët dhe popullata e gjerë në përkrahje të KF Shkëndija gjatë të gjitha periudhave kohore, nga themelimi e këndej.

–  Sot “Shkëndija” është brend rajonal por nga aspekti i përbërjes së skuadrës, menaxhmentit dhe financimit shquan karakteri i saj ndërkombëtar. Ky brend tashmë funksionon me një emërues të përbashkët – të gjithë jemi një! Krahas dallimeve që kemi, është fanella jonë kuqezi, ajo që na bashkon të gjithëve për të shkuar drejt fitoreve. Prandaj, për Shkëndijën – të gjithë jemi një!

–  Skuadrën e kemi shumë pranë fansave, kështuqë socializimi dhe lidhja e përzemërt mes tyre përbën forcën shtytëse të KF Shkëndija.

–  Kemi krijuar një ‘ushtri’ me fidane të reja të klubit. Mbi 300 anëtarë, nga mosha 8 deri 19 vjeç, janë shpresa dhe e ardhmja e Shkëndijës.

–  Sot “Shkëndija”, me miqësitë e reja, po krijon një rrjet me përmasa rajonale e ndërkombëtare. Kjo e bën Klubin të ketë të ardhme shumë premtuese e të ndritur.

Këto dhe shumë aspekte tjera, bazuar në forcën dhe stabilitetin material e financiar, janë platforma prej ku pritet lansimi i KF Shkëndija në përmasat globale. Qofshim gjithmonë të bashkuar, në sfida, në fitore e në festa.

Ju faleminderit, – na priftë e mbara drejt suksesit!

I juaji,

Lazim Destani

Share Now

Related Post

Leave us a reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.