Xhiroja e 5-të: Rabotniçki-Shkëndija

No image

“Kuqezinjtë” do të luajnë si mysafirë të Rabotniçkit në xhiron e 5-të të LPFM-së ku do të kërkohet fitorja e katërt sezonale për të ruajtur kreun e tabelës.

Shkëndija në harkun kohor prej vetëm disa ditëve sërish do të përballet si mysafire me Rabotniçkin. Pas barazimit 1:1 të së mëkurës në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë, të dielën pason dueli i vlefshëm për xhiron e 5-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Pas katër xhirove të zhvilluara Shkëndija është lidere e tabelës me 10-të pikë të grumbulluara në 3 fitore dhe një barazim. Pikërisht takimi i fundit kampional me Pobedën ndali serinë e tre fitoreve të njëpasnjëshme të “kuqezinjëve” dhe tani djemtë e trajnerit Osmani duken të bindur për të kërkuar suksesin që do të ishte starti i një serie të re të triumfeve që do të mbanin ekipin në krye të klasifikimit. Pas barazimit të ditës së mërkurë stafi teknik dhe futbollistët kanë punuar në eliminimin e mangësive të shfaqura në lojë, ndërsa duke llogaritur dominimin që skuadra shfaqi në atë përballje në rrugën drejt fitores duhet të përmirësohet vetëm realizimi i shanseve të shumta që krijohen para portës kundërshtare. Për fat të mirë trajneri Osmani nuk ka problem me lëndime apo pezullime, kështu që në fushë pritet të nxjerë formacionin ideal që vlerëson se për momentin do të sjellë suksesin.

Anësori i djathtë Bllagoja Todorovski beson se Shkëndija do të shfaqet në dritë të vërtetë për të siguruar tre pikët që kanë vlerë të madhe për vazhdimin e kampionatit.

Përballja Rabotniçki-Shkëndija zhvillohet të dielën në stadiumin në Gjorçe Petrov të Shkupit, me fillim në orën 15:30.