Xhiroja e 33-të: Sileksi-Shkëndija

No image

Kuqezinjtë të dielën në orën 16:30 luajnë transfertën me Sileksin në Kratovë, përballë një rivali që kërkon Europën por që këtë sezon ndaj Shkëndijës nuk kanë shënuar as një gol të vetëm në tre përballjet paraprake.

I pari me të tretin gjithmonë është derbi dhe Shkëndija si lidere e konfirmuar shkon në duelin e xhiros së 33-të të LPFM-së kundër Sileksit në Kratovë. Vendasit luajnë për të ruajtur pozitën e tretë që siguron pjesëmarrje në eliminatoret e UEFA Europa League dhe do të kërkojnë pikë maksimale, por përveç Shkëndijës do të luajnë edhe kundër traditës që flet bindshëm për kuqezinjtë. Sileksi nuk fiton në duelet me Shkëndijën prej dhjetorit të vitit 2015, ndërsa ai është triumfi i vetëm në 24 përballjet e fundit në të cilat numërojnë edhe dy barazime dhe 21 disfata. Këtë sezon në tre duelet paraprake kuqezinjtë kanë efekt të 100% fitoresh pa gol të pranuar me diferencë 8:0 (5:0 dhe 1:0 në Tetovë, kurse 0:2 në Kratovë). Pas triumfit 3:0 me Rabotniçkin, skuadra kuqezi ka kthyer vëmendjen kah sfida e të dielës duke u përgatitur me qasje të njejtë si gjithë sezonin. Për këtë ndeshje shkaku i lëndimit mungojnë Izair Emini (lëndim në shpatull) dhe Leard Sadriu (lëndim në nyjet e këmbës), ndërsa i lirë për të pushuar edhe këtë përballje është lënë Besart Ibraimi (pushoi edhe me Rabotniçkin).

Sileksi-Shkëndija luhet të dielën në Kratovë me fillim në orën 16:30.