Xhiroja e 24: Shkëndija-Sileksi

No image

Shkëndija e vendit të parë të shtunën në orën 14:00 në Tetoë pret Sileksin e vendit të tretë në derbin e xhiros së 24-t në LPFM. Kuqezinjtë duan tre pikë para pauzës dy javore që vjen për shkak të ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese. Mungojnë të lënduarit Hasani e Zejnullai dhe të pezulluarit me nga 5 kartona të verdhë Cuculi e Alimi.

Kuqezinjtë me optimizëm presin përballjen e rradhës kampionale me Sileksin në Tetovë në të cilën pretendohet të vazhdohet seria pozitive e skuadrës që fiton katër nga pesë takimet kampionale në gjysmësezonin pranveror. Për më shumë imponon paraqitja bindëse e Shkëndijës që në katër fitoret e fundit të njëpasnjëshme nuk ka pranuar asnjë gol, ndërsa ka shënuar gjithsej nëntë gola. Kjo ka bërë që diferenca me vendin e dytë të shkojë në 16-të pikë, me kuqezinjtë që kërkojnë të ruajnë koncentrimin për të vazhduar me paraqitje të sigurta. Orari i ngjeshur me ndeshje kampionale dhe të Kupës ka bërë që te futbollistët të ndjehet lodhje dhe në këtë drejtim është e mirëseardhur pauza dy javore në kampionat menjëherë pas sfidës me Sileksin shkaku i ndeshjeve kontrolluese të ekipeve përfaqësuese. Shkëndija pas barazimit të mesjavës 1:1 me Renovën në takimin e parë të gjysmëfinales së Kupës ka kthyer vëmendjen ka sfida me ekipin nga Kratova për të shkuar me tre pikë në pauzën dy javore.

“Ndeshjen me Sileksin e presim me koncentrim maksimal, pasi duam të fitojmë dhe të shkojmë në pauzën dy javore me epërsi prej 16-të pikëve, pse jo edhe ta risim nëse kundërshtarët gabojnë. Është fakt që ndjejmë pak lodhje pas orarit të ngjeshur, por ja pauza vjen në moment të duhur dhe besoj të shfrytëzojmë maksimalisht. Por fillimisht mendojmë për të fituar Sileksin, rival serioz dhe ekip që dëshmon cilësi me qëndrimin në vendin e tretë”, shprehet mbrojtësi Mevlan Adili.

Trajneri Osmani do të ketë disa mungesa të rëndësishme për këtë sfidë,  pasi përveç Ferhan Hasanit të lënduar dhe Arbin Zejnullait që ende nuk është rikuperuar plotësisht, jashta kombinimit janë edhe Ardian Cuculi dhe Armend Alimi që do të vuajnë pezullimin prej një ndeshje shkaku i grumbullimit të pesë kartonave të verdhë.
Përballja Shkëndija-Sileksi luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00.

Sileksi rivali i preferuar i Shkëndijës në LPFM

 Skuadra nga Kratova është kampione e trefishtë e Maqedonisë, mirëpo falë ngritjes së madhe të Shkëndijës ndër vite Sileksi rezulton rivali më i preferuar i kuqezinjëve, të cilët kanë krijuar bilans shumë pozitiv në ndeshjet mes veti. Në 37-të përballje të zhvilluara Shkëndija numëron 24 fitore, përkrah gjashtë barazimeve dhe shtatë disfatave. Imponon seria e kuqezinjëve që fiton 12-të ndeshje të njëpasnjëshme si vendas me Sileksin, ndaj të cilëve dështimin e fundit në Tetovë e ka në prill të vitit 2008. Prej atëherë kuqezinjtë në 23 ndeshjet e fundit kanë pësuar vetëm një disfatë në dhjetor të vitit 2015 kur u mundën 3:1, ndërsa krahas asaj humbje kanë ecuri shumë pozitive me 20 fitore dhe 2 barazime. Në dy përballjet paraprake të këtij sezoni Shkëndija fitonte 5:0 në Tetovë dhe 0:2 në Kratovë, duke mbajtur efekt të 100% fitoresh pa gol të pranuar. Tani kërkohet tjetër sukses dhe ekipi pret mbështetje të madhe nga publiku. ​