Xhiroja e 23: Rabotniçki-Shkëndija

No image

Lideri i renditjes në tabelë, të shtunën në Shkup luan si mysafir me Rabotniçkin që ndjek një vend për kupat e Europës. Pa kapitenin e lënduar Hasani, djemtë e trajnerit Osmani kërkojnë tre pikë të reja.

Me kualifikim në gjysmëfinale të Kupës dhe 14-të pikë epërsi para vendit të dytë në kampionat kuqezinjtë presin duelin e xhiros së 23-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë të shtunën kundër Rabotniçkit në Shkup. Do të jetë ky derbi i fundjavës në futbollin vendor, pasi përballë njëra tjetrës do të jenë dy ekipe që viteve të fundit vazhdimisht përfaqësojnë vendin në kupat e Europës dhe synojnë të njejtën ta bëjnë edhe tani. Shkëndija pretendon të vazhdojë serinë e fitoreve për të rëmbyer sa më shpejtë edhe matematikisht titullin e kampionit, ndërsa objektiv i Rabotniçkit është një vend që siguron dalje në Europë.

Këtë sezon këto dy rivalë janë ndeshur katër herë mes veti, me Shkëndijën që fitonte të dyja takimet e kampionatit (2:6 në Shkup dhe 2:1 në Tetovë), ndërsa në 1/8 e finales së Kupës pas dy barazimeve 1:1, kuqezinjtë avansuan më tej dhe eliminuan Rabotniçkin pas ekzekutimit të penaltive. Për dallim nga Shkëndija që hapëron sigurtë drejt objektivave, ekipi shkupjan nuk kishte start të pritur në pranverë, kur në katër takimet e para numëron vetëm një fitore, dy barazime dhe një humbje. Mirëpo pikërisht triumfi 2:1 me Vardarin shihet si moment kthehese drejt rezultateve pozitive dhe trajneri Osmani bashkë me futbollistët janë të vetëdijshëm se në Shkup i pret detyrë e vështirë. Hendikep për Shkëndijën do të jetë mungesa e Ferhan Hasanit që u dëmtua në takimin e Kupës në mesjavë, ndërsa nuk është i gatshëm 100% për të konkuruar për lojë Arbin Zejnullai. Pas pauzës prej dy ndeshjeve shkaku i kartonit të kuq, në skuadër kthehet Enis Fazllagiç.

Përballja Rabotniçki-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup me fillim në orën 14:00. 

Emini: Kundër Rabotniçkit na intereson vetëm fitorja

Xhiroja e 23-të Shkëndijës i sjell transfertën me Rabotniçkin në Shkup, në një prej transfertave më të vështira përballë një rivali që synon të kap vendet që sigurojnë dalje në Europë. Kuqezinjtë respektojnë rivalin, mirëpo ekipi ka “uri” të madhe për të vazhduar me rezultate pozitive drejt realizimit të objektivave sezonal që janë titulli i kampionit dhe trofeu i Kupës. Me udhëtim të sigurtë drejt këtyre dy synimeve, ekipi nuk kënaqet në asnjë moment pa mbyllur edhe matematikisht llogaritë dhe për këtë duhet impenjim maksimal dhe fitore në çdo ndeshje të rradhës. Për sulmuesin Izair Emini kundërshtari i të shtunës, Rabotniçki është një ndër ekipet më të mira në kampionat, Shkëndija do ta ketë të vështirë, por objektivi mbetet fitorja dhe tre pikët. Skuadra është përgatitur mirë për këtë sfidë dhe pritet që stafi teknik të nxjer formacion që do të përgjigjet me kërkesat taktike të kësaj ndeshje.