Xhiroja e 20-të: Shkupi – Shkëndija

No image

Shkëndija shkon për tre pikë në transfertën me Shkupin në Maxhari në një terren ku kuqezinjtë vizitat e fundit rregullisht dalin me fitore. Bejtullai mungon shkaku i pesë kartonave të verdhë. Ndeshja luhet të dielën në orën 14:00.

Rrugëtimi i kuqezinjëve drejt titullit të kampionit duhet të kalojë në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari ku Shkëndija do të luajë si mysafire e Shkupit në xhiron e 20-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Për liderin e renditjes tre pikët janë objektiv i vetëm që paraqet sukses dhe krahas formës e optimizmit për Shkëndijën flet edhe tradita e mirë në stadiumin ku do të luhet ndeshja, pasi kuqezinjtë kohëve të fundit kanë bilans shumë pozitiv përkundër terrenit jo aq adekuat. Euromilku dhe Metalurgu janë ekipet që kanë pritur Shkëndijën në këtë fushë, duke u dorëzuar para djemve kuqezi. Tani kjo traditë duhet vazhduar përballë Shkupit ambicioz, të cilin Shkëndija e ka mundur dy herë në gjysmësezonin vjeshtor. 0:3 në Çair dhe 4:1 në Tetovë për kuqezinjtë është efekti i 100% e Shkëndijës që të dielën kërkon fitoren e tretë përballë ekipit nga Çairi. Gjithsesi me Shkupin asnjëherë nuk është lehtë, posaçërisht tani kur rivali i rradhës ka ekip cilësorë që startoi vitin 2018 me fitore bindëse përballë Akademia Pandevit.
Mbrojtësi Mevlan Murati vlerëson maksimalisht këtë sfidë, i vetëdishëm se nuk do të jetë e lehtë, por beson se Shkëndija do të jetë në nivel për të dalë me tre fitore.

Trajneri Osmani në takimin me Shkupin nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Egzon Bejtullait i cili ndeshjen e fundit kompletoi pesë kartona të verdhë dhe do të lëshojë takimin e rradhës. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë, ndërsa para fillimit do të dihet formacioni që do të startojë takimin.
Përballja Shkupi-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari të Shkupit me fillim në orën 14:00.