XHIROJA E 19: SHKËNDIJA-VARDARI

Kuqezinjtë janë gati për të vazhduar në gjysmësezonin pranveror prej aty ku u ndalën në vjeshtë. Pas përgatitjeve, përforcimeve dhe ndeshjeve testuese, tani pason e vërteta dhe të mërkurën në orën 14:00 kundër Vardarit duhet nisur materializimi i punës së bërë. Përkundër të rreshjeve të borës, deri tani nuk ka ndonjë paralajmërim për anulim.

Pas një faze të suksesshme përgatitore në Ohër, Antalia dhe Tetovë, përforcime të skuadrës dhe ndeshje të forta kontrolluese të mërkurën duhet të fillojë materializimi i punës së bërë me ndeshjen kundër Vardarit në Tetovë. Skuadra duket e gatshme për të dhënë më të mirën, ndërsa përkundër faktit që përballë do të jetë konkurenti për titullin e kampionit në mesin e futbollistëve mbizotëron atmosferë e qetë dhe optimiste, pa ndonjë eufori të caktuar përveç dëshirës që sa më parë të startojë pjesa garuese e kampionatit. Stafi teknik në këto ditë ka punuar me ekipin për të pritur sa më të përgatitur sfidën e parë, ndërsa pas fazës përgatitore intenzive ditëve të fundit është ulur intensiteti për të sjellë formën në nivelin e dëshiruar. Gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë të gatshëm për lojë, në përjashtim të Arbin Zejnullait që shkaku i dëmtimit lëshoi gjithë fazën e dytë përgatitore dhe Alma Wakilit që nuk është përfshirë në listën e futbollistëve të ftuar për këtë ndeshje shkaku i periudhës së shkurtër që i është bashkuar skuadrës.

Shihni FOTOGALERINË  e plotë

Ndërkohë skuadra nuk ndikohet nga të rreshurat e borës që kanë përfshirë rajonin e Pollogut dhe me koncentrim maksimal pret përballjen e të mërkurës. Përkundër faktit se terreni i stadiumit të qytetit është i mbuluar me borë, ende nuk ka ndonjë paralajmërim për prolongim të ndeshjes nga Komisioni për Gara pranë FFM-së. Në kushte të këtilla nëse nuk ndryshon diçka në moment të fundit, mbetet në fuqi termini paraprak që takimi Shkëndija-Vardari të luhet të mërkurën (14.02.2018) në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 14:00. ​

Share Now

Related Post