Xhiroja e 17-të: Renova-Shkëndija

No image

Kuqezinjtë kërkojnë fitore të shtunën përballë Renovës për të kompletuar festën e 25 vjetorit të “Ballistëve” dhe për të vazhduar ecurinë pozitive në kampionat. Suksesi në këtë përballje Shkëndijën e bën kampione të dimrit. Përballja luhet të shtunën në Tetovë me fillim në orën 13:00.

 

Derbi lokal në ditën kur grupi i tifozëve “Ballistët” kremton 25 vjetorin. Me atmosferë shumë pozitive Shkëndija përballet me Renovën në xhiron e 17-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Kuqezinjtë kërkojnë fitore për të zbukuruar festën e tifozëve, por edhe për të vazhduar ecurinë e suksesshme në kampionat ku skuadra jonë është lidere e renditjes dhe ka seri prej 4 fitoreve me rradhë me një gol diferencë pozitive prej 10 golave të shënuar dhe vetëm një të pranuar. Krejtësisht me disponim të kundërt vjen Renova që mundet në tre përballjet e fundit kampionale me 11-të gola të pranuar (9-të prej të cilëve vetëm dy ndeshjet e fundit) dhe vetëm katër të shënuar. Këtë sezon përballjen e parë ndërmejt veti Shkëndija e fitoi 2:0, duke çuar në 9-të takime me rradhë serinë pa humbje nga Renova, që për herë të fundit në duelet me kuqezinjtë është gëzuar në prill të vitit 2015. Tani në rradhë është duel i ri kampional ku secili hyn me ambiciet e veta, por është e sigurtë se jubileu i “Ballistëve” do të jetë motiv shtesë që Shkëndija të jep më të mirën në terren në kërkim të fitores që mes tjerash do të shpallte kuqezinjtë edhe kampionë të dimrit në Ligën e Parë. Braziliani Stenio Junior flet me optimizëm para kësaj përballeje, duke potencuar se suksesin e kërkuar t’ua dedikojë “Ballistëve” për festën e 25 vjetorit.

Ekipi në gjendje të mirë është përgatitur me intensitet maksimal për sfidën me Renovën, të vetëdishëm se për të marrë tre pikët nuk do të jetë aspak e lehtë. Rivali lokal në të kaluarën ka ditur të krijojë probleme dhe kuqezinjtë tani nuk duan t’ia lënë asgjë rastit.

Trajneri Osmani nuk ka probleme me lëndime apo pezullime të futbollistëve, kështu që me formacion të kompletuar do të kërkojë suksesin e 14-të sezonal. Përballja Renova-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 13:00. ​