Xhiroja e 11-të: Shkëndija-Shkupi

No image

Stadiumi i qytetit në Tetovë të dielën nga ora 14:30 pret takimin Shkëndija-Shkupi që përket me xhiron e 11-të LPFM-së.

Me kualifikimin e siguruar në çerekfinale të Kupës në mesjavë, kuqezinjtë tani u rrikthehen detyrave në kampionat ku pason sfida me Shkupin. Shkëndija hyn si lidere në këtë sfidë dhe me synim për të nisur tjetër seri të gjatë pozitive që karakterizoi ekipin në fazën e parë të garave në këtë sezon të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Pas një rritmi të ngjeshur me ndeshje çdo fundjavë dhe mesjavë ishte normale që skuadra të ndjejë lodhje dhe rrënie të formës, por stafi teknik me futbollistët kanë punuar për tu rrikthyer në gjendjen paraprake dhe pika e parë në këtë drejtim është përballja me Shkupin.

Mbrojtësi Mevlan Murati beson se është momenti që me ndeshjen ndaj Shkupit ekipi t’ju kthehet fitoreve në kampionat.

Kuqezinjtë respektojnë ekipin nga Çairi që shënon rezultate të mira në këtë kampanjë dhe të gjithë janë të vetëdishëm se për të arritur fitoren do të duhet angazhim dhe koncentrim maksimal. Mungesë për trajnerin Osmani do të jetë braziliani Junior që vuan lëndimin e muskulit të këmbës, ndërsa pasi lëshoi sfidën me Rabotniçkin shkaku i virozës, në skuadër kthehet Bllagoja Todorovski.

Biletat për sfidën me Shkupin mund t’i gjeni ditën e ndeshjes (e dielë ora 14:30) në pikat shitëse të  stadiumit të qytetit në Tetovë.