Vizita e trajnerëve të Dinamo Zagrebit eksperiencë e vlefshme për kuqezinjtë

No image

Shkëndija të dielën do të pranojë trofeun për titullin e kampionit në elitën e futbollit vendor, ndërsa paralel me përgatitjet për festën e një tjetër sezoni të suksesshëm kuqezi, dy ditët e kaluara skuadra kishte aktivitete të rëndësishme në nivel të shkollës së futbollit.

Përfaqësues të Akademisë së Dinamo Zagrebit gjatë qëndrimit në KF Shkëndija para trajnerëve kuqezi prezantuan metodat e punës praktike e teorike, si dhe mënyrën e funksionimit të Akademisë së futbollit te gjigandi i Kroacisë i njohur për suksese edhe në suaza europiane.

Jemi shumë të kënaqur dhe mirënjohës që mysafirët nga rradhët e Dinamo Zagrebit qëndruan në klubin tonë, duke na dhënë mundësinë të njihemi më thellësisht me metodat e punës në një prej Akademitë më të mira të futbollit europian. Besoj se gjithë ajo që folëm gjatë shoqërimit dy ditorë, puna praktike dhe teorike që prezantuan para neve do të na shërbejnë shumë për të ardhmen në drejtim të ngritjes së nivelit të punës me moshat e reja në klubin tonë”, shprehet drejtori i shkollës së futbollit të KF Shkëndija, Erhan Selimi.
Të ardhur në Tetovë për një seminar në organizim të Universitetit Shtetërorë të Tetovës, të martën tre trajnerët e Dinamo Zagrebit, Krešimir Šoš, Tamara Despot dhe Davorin Antoniç u pritën në ambientet e klubit nga presidenti i KF Shkëndija, Visar Bexheti dhe udhëheqësit e shkollës së futbollit. Shoqërimi mes dy palëve vazhdoi të mërkurën përmes njoftimit të detajuar me metodat e punës që praktikohen te gjigandi kroat. Mysafirët demonstruan pjesë të mënyrave të punës në një seancë stërvitore me gjeneratat U15 dhe U16 të Shkëndijës, ndërsa para trajnerëve të shkollës së futbollit të Shkëndijës mbajtën orë teorike me spjegime rreth procesit stërvitorë dhe organizativ që praktikohet te Akademia e Dinamo Zagrebit.
Gjigandi kroat posedon shkollën më të mirë të futbollit në ish-Jugosllavi, derisa emri i tyre figuron në top 5 Akademitë më të suksesshme në Europë. Qëndrimi i tyre në KF Shkëndija ishte hapi i parë konkret drejt bashkëpunimit më të ngushtë mes dy klubeve.