Valmir Nafiu kthehet në shtëpi

No image

Sulmuesi 24 vjeçar Valmir Nafiu është përforcimi i rradhës i kuqezinjëve, duke u kthyer në klubin amë pas shtatë viteve.

KF Shkëndija ka kompletuar marrëveshjen me sulmuesin Valmir Nafiu. 24 vjeçari ka firmosur kontratë dy vjeçare me kuqezinjtë, pasi paraprakisht gjeti akordin me drejtuesit e klubit. Praktikisht ky është kthim i Nafiut në skuadrën tonë, shtatë vite pasi u largua në drejtim të Bazelit në Zvicër.
Bëhet fjalë për futbollist të dalë nga shkolla e futbollit Shkëndija, një ndër debutuesit më të ri në historinë e klubit në Ligën e Parë, ndërsa pas mbushur 17-të vite ka shënuar një gol në elitën e futbollit vendor në sezonin garues 2010/2011 kur kuqezinjtë fituan titullin e kampionit për herë të parë në historinë e klubit.


Si kampion Nafiu kaloi në Zvicër te Bazeli, për të vazhduar më pas në Gjermani te Hamburgu, me të cilët regjistroi dy paraqitje zyrtare në Bundesligë. APOEL Nikosia në Qipro ishte stacioni i rradhës, ndërsa pas një viti te Skënderbeu i Korçës ai kthehet në Maqedoni te Renova me të cilët sezonin e kaluar shënoi 7-të gola në 35 paraqitje.
Valmir Nafiu bëhet përforcimi i pestë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar, ndërsa të drejtë loje me kuqezinjtë pritet të fitojë pas ndeshjeve me Sheriff Tiraspolin.