Tre teste ukrainase dhe një nga Kazakistani në përgatitjet në Antalia

No image

Shkëndija do të qëndrojë për të kryer fazën përgatitore në Antalia të Turqisë prej 24 janar deri më 8 shkurt, ndërsa janë caktuar katër ndeshje kontrolluese me rivalë të fortë nga Ukraina dhe Kazakistani.

Kuqezinjtë vijojnë fazën e parë përgatitore në Tetovë, ndërsa në fillimin e javës së ardhëshme ekipi do të ndryshojë lokacion. Faza e dytë dhe kryesore si zakonisht do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, ku skuadra do të qëndrojë prej 24 janar deri më 8 shkurt. Përveç seancave stërvitore, sipas planprogramit ekipi do të kërkojë gjetjen e formës optimale përmes katër përballjeve kontrolluese të caktuara me rivalë shumë serioz. Nga katër rivalët e Shkëndijës në këtë fazë, tre do të jenë ekipe nga Ukraina edhe atë të trija nga kreu i renditjes tabelare në Premier Ligën e këtij vendi, ndërsa kundërshtari i katërt është klub nga Kazakistani.

Serinë e ndeshjeve kontrolluese e hapim më 25 janarë përballë skuadrës së vendit të katërt të Premier Ligës së Ukrainës, FC Zorya Luhansk. Rival shumë serioz që përveç ecurisë pozitive në kampionatin vendor, ka bërë mirë edhe në Europë ku ishte pjesë e grupeve në UEFA Europa League, madje duke rëmbyer fitore në duelet me AEK-un në Athinë dhe si vendas përballë Leicester City-t.

Dueli i dytë është paraparë për datën 30 janar kur përballë do të kemi FK Desna Chernihiv, skuadër që ka lënë një fazë të parë shumë të mirë në elitën e futbollit ukrainas dhe pas 13-të xhirove me 23 pikë të tubuara mbajnë vendin e tretë në renditje, menjëherë pas gjigandëve, Dinamo Kyiv dhe Shakhtar Donetsk.

Kundërshtari i vetëm jo ukrainas në këtë fazë përgatitore do të jetë FC Kaysar nga Kazakistani, me të cilët do të përballemi me 3 shkurt në ndeshjen e parafundit. Bëhet fjalë për ekip cilësorë që mban vendin e 7-të në Premier Ligën e Kazakistanit, pas 20-të xhirove të luajtura në elitën e futbollit të atjeshëm.

Seria e ndeshjeve kontrolluese mbyllet më 7 shkurt kur në program kemi provën gjenerale para startit të gjysmëstinorit pranveror dhe kundërshtarë do të jetë gjiganti nga Ukraina, Dinamo Kyiv. Dueli me 15 herë kampionët e Ukrainës do të jetë mundësi ideale për të testuar lartësinë momentale të skuadrës jo vetëm para gjysmësezonit pranverorë, por edhe për të parë nivelin e ekipit për sfida më serioze në Kupat e Europës.

Më 8-të shkurt është paraparë ekipi të kthehet në Tetovë.

Orari i ndeshjeve kontrolluese në Antalia:

25 janar: Shkëndija vs FC Zorya Luhansk (Ukrainë)
30 janar: Shkëndija vs FK Desna Chernihiv (Ukrainë)
3 shkurt: Shkëndija vs FC Kaysar (Kazakistan)
7 shkurt: Shkëndija vs Dianmo Kyiv (Ukrainë)

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME