Trajneri Osmani dhe Alimi komentojnë shortin e CHL

No image

Tekniku kuqezi Qatip Osmani vlerëson se nga qasja e lojtarëve të Shkëndijës do të varet shumëçka në duelet me Nõmme Kalju në eliminatoret e Champions League.

Pasi kemi mësuar emrin e rivalit të parë në eliminatoret e UEFA Champions League, shefi i stafit teknik Qatip Osmani ka dhënë opinionin e tij rreth kundërshtarit dhe mundësive të Shkëndijës për të kaluar më tej.


“Ne kemi respekt maksimal për çdo kundërshtar, pa marrë parasysh vendit prej ku vjen. Skuadra nga Estonia viteve të fundit dominon futbollin e atjeshëm. Përballemi në një garë ku të gjithë kanë cilësi, ashtu që ne duhet sa më të gatshëm të presim këto ballafaqime”, deklaroi trajneri Osmani.

Jemi të kënaqur me epilogun e shortit pasi skuadra Nõmme Kalju ishte ndoshta rivali më i favorshëm në mesin e kundërshtarëve të mundshëm. Mirëpo nuk duhet të nënçmojmë askënd, dijmë cilësitë tona dhe shkojmë për fitore. Pozitiv është fakti se kemi gati tre javë përgatitje për këto ndeshje, do të marrim çdo informacion të mundshëm për rivalin dhe besoj të shfaqim cilësinë dhe përvojën tonë që kemi dëshmuar edhe në të kaluarën”, shprehet kapiteni Armend Alimi.

Kujtojmë se shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës vendosi Shkëndijën përballë kampionit të Estonisë, Nõmme Kalju në kuadër të raundit të parë eliminator të UEFA Champions League. Ndeshja e parë do të luhet në transfertë më 9 korrik, kurse takimi i kthimit në Shkup është paraparë për datën 16 korrik.