Të premten test me St. Poltenin e Austrisë

No image

Kuqezinjtë të premten në orën 13:00 sipas kohës tonë do të zhvillojnë ndeshjen e tretë kontrolluese gjatë fazës përgatitore që zhvillohet në Antalia të Turqisë.

Futbollistët kuqezi vazhdojnë sipas planit punën e tyre në tokën turke edhe pse tashmë ndjehet lodhja nga intensiteti i lartë që imponon stafi teknik.

Ekipi punon nga dy seanca stërvitore në ditë dhe përjashtim nuk janë edhe ditët kur në program kemi ndeshje kontrolluese, kur para dite zhvillohet stërvitje e rregullt, ndërsa pas dite ekipi teston formën përballë kundërshtarëve të zgjedhur dhe cilësorë. Deri tani në Antalia janë zhvilluar dy teste (ndeshja me Grasshopperin e Zvicrës u ndërpre në minutën e 37-të shkaku i motit të keq kur kuqezinjtë udhëhiqnin 2:0), ndërsa pas fitores 2:0 të hënën kundër FC Orenburgut të Rusisë, të martën lojtarët kishin rikuperim dhe pasdite të lirë.

Nga e mërkura skuadra ka vazhduar punën me intensitet të plotë, të enjten në seancat stërvitore është bashkuar aktivizimi i fundit Jakup Berisha, ndërsa të premten pason ndeshja e tretë kontrolluese në Turqi.

Kundërshtari i rradhës është ekipi i St. Poltenit, që për momentin mban pozitën e tretë në Bundesligën e Austrisë, menjëherë pas Red Bull Salzburgut dhe LASK Linz. Do të jetë kjo një tjetër ndeshje e fortë kontrolluese për djemtë e trajnerit Qatip Osmani që deri tani kanë treguar formë të mirë edhe përkundër lodhjes normale që vjen si pasojë e punës intenzive. Përballja ndërmjet Shkëndijës dhe St. Poltenit zhvillohet të premten me fillim në orën 13:00 sipas kohës lokale në vendin tonë (ora 15:00 në Turqi).

?➡FOTOGALERIA