Të kompletuar në përgatitjet përfundimtare para Daçias

No image

Kuqezinjtë” sot kanë rinisur punën në Tetovë dhe me formacion të kompletuar përgatiten për sfidën e parë të eliminatoreve për Liga Evropa, të enjten në Strumicë kundër Daçias nga Moldavia. Me ekipin bashkohen Hasani dhe reprezentuesit që ishin pjesë e EURO 2017, Bejtullai, Radeski dhe Murati.

 

Shkëndija numëron ditët e fundit para ndeshjes së parë me Daçian e Moldavisë në kuadër të raundit të parë të eliminatoreve për Liga Evropa. Pas disa ditëve të lira pas rikthimit nga Sllovenia dhe për shkak të festës së Fitër Bajramit, skuadra sot u është rikthyer angazhimeve në teren, duke nisur përgatitjet përfundimtare para sfidës së parë evropiane për këtë vit.

Trajneri Qatip Osmani më në fund në dispozicion ka gjithë futbollistët, pasi sot grupit i janë bashkuar edhe Ferhan Hasani, si dhe tre anëtarët e përfaqësueses U 21 të Maqedonisë, Egzon Bejtullai, Marjan Radeski dhe Mevlan Murati të cilët morrën pjesë në EURO 2017 në Poloni. Në skuadër ndjehet atmosferë shumë pozitive dhe futbollistët duken të gatshëm për sfidat që sjellin ndeshjet ndërkombëtare.

Stafi teknik tani ka ulur rritmin e punës, duke dashur ekipit t’i japë freskinë e duhur, ndërsa po përgatitet lojë e cila duhet të japë rezultat të favorshëm në takimin e parë me Daçian të enjten në Strumicë.

FOTOGALERIA E PLOTË