Të hënën testi i fundit me Zorya Luhansk nga Ukraina

No image

Shkëndija do të testojë formën përballë ekipit ukrainas, FC Zorya Luhansk në takimin që luhet të hënën me fillim në orën 17:00.

Kuqezinjtë kanë hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve verore në Kranjska Gora të Sllovenisë ku ekipi qëndron prej datës 16 qershor. Skuadra punon intenzivisht për të pritur sa më e përgatitur ndeshjet e xhiros së parë eliminatore të UEFA Champions League kundër kampionit të Estonisë, Nõmme Kalju më 9 dhe 16 korrik. Përveç seancave të rregullta stërvitore gjatë fazës përgatitore deri tani kuqezinjtë zhvilluan tre ndeshje kontrolluese (fitore 1:0 ndaj Olimpijas së Sllovenisë dhe MSK Zilina të Sllovakisë dhe humbje 1:0 nga Fastav Zlin nga Republika Çeke), ndërsa para kthimit për në Tetovë të paraparë më 2 korrik, ekipi do të zhvillojë ndeshjen e katërt dhe të fundit kontrolluese të paraparë për këtë fazë përgatitore. Rival i Shkëndijës të hënën (01.07.2019) do të jetë përfaqësuesi i Ukrainës, FC Zorya Luhansk në takimin që nis në orën 17:00.

Ndryshe përgatitjet kanë shkuar sipas planifikimit, lojtarët me përpikmëri kanë realizuar kërkesat dhe ngarkesat e vendosua nga stafi teknik, ndërsa për fat të mirë bilansi shëndetësor është pozitiv, pasi përjashtuar Mevlan Muratin që kishte një zgjatje të lehtë, asnjë futbollist tjetër nuk është ankuar në lëndim. Ekipi do të vazhdojë me dy seanca stërvitore edhe të dielën, ndërsa të hënën pason testi i fundit i kësaj faze.