Shkëndija U18 fiton Kupën e Maqedonisë

No image

Kuqezinjtë nisin grumbullimin e trofeve në këtë sezon të suksesshëm dhe historik në gjithë kategoritë pasi sot në Ohër ekipi i kadetëve fitoi Kupën e Maqedonisë pas triumfit 5:3 përballë Pelisterit në finale. Nga ora 17:00 për trofeun e Kupës luan Shkëndija U19 përballë Rabotniçkit.

 

Trofeu i Kupës së Maqedonisë në kategori të kadetëve është i Shkëndijës. Ekipi U18 i udhëhequr nga Berat Imeri sot në finalen e madhe në Ohër ishte bindës përballë Pelisterit U18, duke fituar me shifrat 5:3. Kuqezinjtë kishin start perfekt duke avansuar 3:0 pas 30 minutave lojë. Elvir Ramiq hapi serinë në minutën e 6-të, Albin Ramadani në të 28-ën dyfishoi shifrat, ndërsa dy minuta më vonë golin e tretë e sjell Ylber Karimani. Këtu sikur u ndje një kënaqësi e parakohëshme e shpresave të Shkëndijës që sikur ulën ritmin dhe lejuan të pranojnë dy gola në harkun kohor prej dy minutave. Arijan Selmani i Pelisterit në minutën e 42-të shënoi për 3:1, ndërsa vetëm disa sekonda më vonë Boshkovski realizon për 3:2, duke kthyer paqartësitë në një ndeshje që dukej se do ishte rutinë për Shkëndijën. Në pjesën e dytë kuqezinjtë rikthyen dominimin në terren dhe në minutën e 55-të Albin Ramadani me ekzekutim të saktë nga pika e bardhë çon shifrat në 4:2. Katër minuta më vonë penalti për Pelisterin që konvertohet në gol nga Arijan Selmani dhe tani rezultati ishte 4:3. Kundërshtari edhe një herë ngjalli shpresat për të shmangur disfatën, mirëpo u përball me një Shkëndija që tregoi autoritet, menaxhoi si duhet lojën dhe në minutën e 72-të me anë të Ediz Spahiut mbylli çështjen e fituesit kur fiksoi shifrat 5:3. Në fund festa ishte për kuqezinjtë e rinjë që pranuan i’u gëzuan trofeut të Kupës.

 

SHKËNDIJA U18-PELISTERI U18 5:3 (3:2)
Stadiumi “Burimet e Bilianës” në Ohër

Golashënues: 1:0 Elvir Ramiq 6’, 2:0 Albin Ramadani 28’, 3:0 Ylber Karimani 30’, 3:1 Arijan Selmani 42’, 3:2 Filip Boshkovski 43’, 4:2 Albin Ramadani pen. 55’, 4:3 Arijan Selmani pen. 59’, 5:3 Ediz Spahiu 72’.
SHKËNDIJA U18: Bujar Abazi, Etnik Mustafa, Almir Rexhepi, Elvir Ramiq, Ylber Karimani, Albin Ramadani, Miran Memishi, Jeton Shahini, Atmir Bakija, Genc Gashi, Ediz Spahiu.
Luajtën edhe: Abdulvahit Ajdini, Roni Sinani, Adhurim Ramadani, Ristem Ramadani, Premtim Jakupi, Arsim Ramadani dhe Jeton Mehdiji.

Trajner: Berat Imeri ​