Shkëndija kthen Alitin, rinovon Merxhani

No image

Kuqezinjtë ruajnë freskinë në krahët e repartit defanziv pasi nga huazimi kthehet Arlind Aliti, ndërsa zgjat bashkëpunimin Zija Merxhani.

KF Shkëndija komunikon firmosjen e kontratave me Arlind Alitin dhe Zija Merxhanin.

Mbrojtësi i djathtë Arlind Aliti është lojtar i dalë nga shkolla e futbollit të Shkëndijës, ndërsa kthehet në taborin kuqezi pas një sezoni te Struga Trim&Lum. Me struganët 20-të vjeçari zhvilloi 13-të paraqitje shumë pozitive në elitën e futbollit vendor, duke bindur drejtuesit e klubit për t’i ofruar kontratë dy vjeçare.

“Ky është moment shumë i veçantë për mua, pasi të marrësh besimin e klubit ku je rritur gjithmonë është realizim i një synimi. Pas vetes kam një sezon në Ligën e Parë, mendoj se huazimi të Struga më ka vlejtur dhe tani jam i gatshëm për të dhënë më të mirën në fanellën e Shkëndijs”, deklaron Arlind Aliti.

Ndërkohë kontratë të re një vjeçare me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër firmos mbrojtësi i majtë Zija Merxhani. 24 vjeçari në dy sezonet e fundit ishte në nivel gjithmonë kur i jepej rasti për të luajtur dhe kryesia llogarit në të edhe për të ardhmen.


“Jam i lumtur që qëndrimi im te Shkëndija zgjatet dhe tani më mbetet mua të dëshmoj me punë se meritoj të jem këtu. Sezoni i fundit nuk shkoi si duhet, por pandemia goditi gjithë botën dhe ne duhet të shikojmë përpara. Besoj se sezonin e ri sërish do të jemi në element dhe Shkëndija do të jetë ekip për titull”, thotë Zija Merxhani.

Pjesë e Shkëndijës nuk është më portieri Artan Iljazi. Kontrata e kumanovarit me kuqezinjtë skadoi me ndërperjen e sezonit të kaluar dhe e njejta nuk u vazhdua më tej. Shkëndija falënderon Iljazin për kontributin në fanellën kuqezi, duke i dëshiruar gjithë të mirat në të ardhmen

Share Now