Shkëndija fiton testin me Rabotniçkin

No image

Valon Ahmedi dhe Besart Ibraimi shënojnë për fitore 2:0 në ndeshjen kontrolluese me Rabotniçkin në Ohër. Debuton me fanellën e Shkëndijës Ljupço Doriev që zhvilloi pjesën e dytë.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar ndeshjen e tretë kontrolluese në kuadër të përgatitjeve verore, duke fituar me rezultat 2:0 përballë Rabotniçkit në takimin e luajtur në Ohër.
Trajneri Gjoka në këtë sfidë nga minuta e parë inkuadroi sulmuesin francez Sahal, ndërsa për dallim nga ndeshjet paraprake startues ishte edhe Zejnullai. Pjesa e parë nuk solli ndonjë futboll edhe aq cilësorë, e ndikuar ndoshta edhe nga temperaturat e larta që mbizotrojnë në vend. Petkovski kishte kanosjen e parë për Rabotniçkin, por Zahov shfaqet i kujdesshëm dhe me intervenim të sigurtë ruan portën. Shkëndija në pjesën e parë u kanos me Sahal goditja e të cilit me kokë shkoi mbi portë, ndërsa më vonë e djathta e Imerit nuk shqetësoi portierin Jankov.

Trajneri Gjoka në start të pjesës së dytë bëri tre ndryshime kur Ibraimi, Doriev dhe Neziri zunë vendin e Sahal, Imerit dhe Alitit. Tashmë dinamika e lojës ndryshoi dhe Shkëndija pa veten në ofanzivë dhe me raste të njëpasnjëshme shënimi që paralajmëruan golin e epërsisë. Fillimisht e djathta e fortë e Alimit shkon mbi portë, pastaj goditja nga distanca e Muratit kontrollohet nga Jankov, ndërsa më vonë tentimi i Totres ndalet në shtyllë. Ndryshimi erdhi në minutën e 56-të kur Valon Ahmedi depërton në të djathtë, krijon pozitë për goditje dhe me një të majtë të saktë çon topin në këndin e poshtëm të portës së Rabotniçkit. Dominimi i tanëve vazhdoi edhe më tej dhe në minutën e 68-të prodhojmë aksion model me Dorievin, Ibraimin dhe Ahmedin, ndërsa asisti i këtij të fundit shfrytëzohet nga Ibraimi që me gol të bukur çon epërsinë në 2:0. Një minutë më vonë Rabotniçki solli kanosjen e parë në pjesën e dytë kur Zuka tenton me të majtën nga distanca, por me pritje të bukur përgjigjet Rexhepi, që ndërkohë kishte zënë vendin e Zahovit. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe sfida mbyllet me fitore 2:0 nga kuqezinjtë.
Kjo ishte ndeshja e tretë kontrolluese për Shkëndijën, pas barazimit (1:1) me Makedonija Gj.P. dhe fitores (1:0) me Gostivarin.

RABOTNIÇKI-SHKËNDIJA 0:2 (0:0)
Stadiumi: “Burimet e Bilijanës” në Ohër
Golashënues: 
Ahmedi 56′ dhe Ibraimi 68′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Aliti, Krivak, Bejtullai (c), Murati, Zejnullai, Alimi, Totre, Ahmedi, Imeri, Sahal.
Luajtën edhe: Ibraimi, Doriev, Neziri, Nafiu, Sadriu, Rexhepi, Ramadani dhe A. Murati.
Trajner: Ernest Gjoka

Share Now

Related Post