Shkëndija firmos kontratë me Ljupço Doriev

No image

Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut firmos kontratë tre vjeçare me kuqezinjtë dhe vjen si përforcim për repartin ofenziv.

KF Shkëndija me kënaqësi komunikon zyrtarizimin marrëveshjes me sulmuesin e krahut, Ljupço Doriev. Drejtuesit e klubit kanë mbyllur me sukses bisedimet me kryesinë e skuadrës Akademia Pandev, duke angazhuar 24 vjeçarin një vit para skadimit të kontratës me ekipin nga Strumica. Doriev dhe Shkëndija kanë firmosur kontratë tre vjeçare dhe pas testeve mjekësore, reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut menjëherë bashkohet me kuqezinjtë në seancat stërvitore.

Është hera e parë në karrierë që marr këtë hap për të dalë të luaj jashta Strumicës. Këtu në Maqedoni për mua Shkëndija është klubi më i mirë. Të firmos me këtë klub është hap i madh për mua dhe jetën time. Vij këtu në Shkëndijë për të triumfuar, për të fituar trofe dhe për të shijuar suksese në Europë “, u shpreh Doriev në prononcimin e tij të parë si futbollist i Shkëndijës.

Ljupço Doriev ka nisur karrierën te Horizont Turnova, për të kaluar më pas në rradhët e Akademia Pandev ku zhvilloi tre sezone shumë pozitive, të fundit edhe si kapiten i skuadrës. Në sezonin garues 2018/2019 regjistroi 16 gola në kampionat dhe si rezultat i paraqitjeve të shkëlqyeshme u bë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.

Të gjithë në KF Shkëndija i dëshirojmë mirëseardhje Ljupço Dorievit, duke i uruar shumë suksese me fanellën kuqezi.

Share Now