Shkëndija e mbyll me fitore në Slloveni

Kuqezinjtë fitojnë 3:1 Vorsklan e Ukrainës në testin e tretë dhe të fundit në këtë fazë përgatitore, ndërsa pas ndeshjes ekipi kthehet në Tetovë ku do të presë takimin e parë në Champions League më 10 korrik kundër New Saints nga Welsi. Emini në të parën, ndërsa Murati dhe Zejnullai në pjesën e dytë shënuan golat në triumfin e sotëm.

Skuadra e Qatip Osmanit mbyll me sukses fazën përgatitore në Rogashka Sllatina të Sllovenisë, ku fiton bindshëm 3:1 ndeshjen e tretë kontrolluese. Shkëndija që në minutat e para vendosi autoritet në fushë dhe solli disa kanosje në drejtim të portës së skuadrës ukrainase në një ndeshje ku mungoi sulmuesi kryesor Besart Ibraimi i cili është kthyer para ndeshjes në Maqedoni (rast vdekje në familje). Fillimisht Alimi godet mbi portë pas asistit të Shefitit, më pas në minutën e 11-të Junior inspiron aksion të bukur me disa kombinime të sakta, mirëpo Radeski nuk shfrytëzon asistin e brazilianit dhe godet drejtë në portierin kundërshtarë. Kuqezinjtë kishin kontroll të plotë të lojës duke mbajtur posedimin e topit, mbrojtja nuk lejonte kundërshtari t’i afrohet portës, ndërsa mesfusha dhe sulmi vazhdimisht krijonin aksione premtuese. Me një lojë të tillë nuk mund të vononte ndryshimi dhe Shkëndija avansoi në minutën e 39-të kur Bejtullai me diagonale të saktë shërben për Eminin, i cili pasi qetëson bukur topin plason saktë për epërsi 1:0 të Shkëndijës. Ky ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa në të dytën Shkëndija hyri me tempo të njejtë. Kuqezinjtë shkuan pranë golit të dytë kur Junior shërben bukur për Eminin, mirëpo portieri kundërshatr Shust ndali tenimin e tij. Ndëshkimi për këtë huqje të 100% erdhi në anën tjetër në minutën e 57-të kur Zahov ndali një goditje serioze, mirëpo në vazhdim nuk mundi të bëjë asgjë kur Gableko godet saktë për barazim 1:1. Menjëherë pas kësaj për shkak të dëmtimit lojën e lëshon Bejtullai, ndërsa vendin e tij e zuri Todorovski. Barazimi ishte i papranueshëm për kuqezinjtë që vazhduan me dominim dhe shpejtë kthejnë epërsinë. Ishte minuta e 64-t kur kundërshtari nuk pastron mirë një harkim në zonë, ndërsa Murati me goditje të bukur realizon për 2:1. Pas kësaj trajneri Osmani bëri gjashtë zëvendësime, por imazhet në fushë nuk ndryshuan dhe Shkëndija vazhdonte të komandonte lojën. Në minutën e 68-të aksion i bukur i Shkëndijës, me Alimin që çon topin në shtyllë ndërsa aksioni ndiqet mirë nga Zejnullai që plason saktë për 3:1. Në vazhdim Shkëndija humbi edhe disa mundësi shënimi, më të mirën në minutën e 79-të kur predha e Alimit nga distanca ndalet në traversë, ndërsa në minutën e 85-të fat pati edhe portieri Rexhepi kur një tentim i kundërshtarit ndalet në traun e portës. Në fund fitorja i takoi Shkëndijës që mund edhe Vorsklan me rezultat identik 3:1 si Osijekun e Kroacisë të mërkurën, ndërsa baraz 1:1 kuqezinjtë luajtën në tesin e parë të këtyre përgatitjeve kundër Domzales së Sllovenisë. Pas ndeshjes së sotme Shkëndija kthehet në Tetovë ku do të vijojë përgatitjet për ndeshjen e parë të eliminatoreve të Champions League më 10 korrik kundër New Saints nga Welsi.

📸 FOTOGALERIA  ⬅

SHKËNDIJA-VORSKLA 3:1 (1:0)
Tereni në Pogatec të Sllovenisë
Golashënues: Emini 39’, Murati 64’ dhe Zejnullai 68’ (Shkëndija), ndërsa Gableko 57’ (Vorskla)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Musliu, Adili, Murai, Alimi, Taipi, Emini, Radeski, Junior, Shefiti.
Luajtën edhe: Todorovski, Reshepi, Totre, Wakili, Zejnullai, Çeshmexhiev, Selmani, Imeri dhe Aliti.
Trajner: Qatip Osmani
VORSKLA: Shust, Chizov, Pedruta, Giorgadze, Skljar, Rebenok, futbollist në provë, Kravchenko, Sharpar, futbollist në provë, Vasin.
Luajtën edhe: Dalku, Martynenko, Sapai, Saki, Chesnakov, Gabelok, futbollist në provë, Kobakhidze, Kadimyan, Kolomoyets.
Trajner: Vasyl Sachko

Share Now

Related Post