Shkëndija ‘blindon’ portierin Bekim Rexhepi

No image

Gardiani 22 vjeçar Bekim Rexhepi ka firmosur kontratë afatgjatë me Shkëndijën, me kuqezinjtë që sigurojnë shërbimet e portierit deri verën e vitit 2023.

KF Shkëndija komunikon vazhdimin e bashkëpunimit me portierin Bekim Rexhepi. Një ditë para skadimit të kontratës së vjetër (15.06.2019) kryesia ka reaguar duke lidhur me marrëveshje afatgjatë portierin 22 vjeçar. Rexhepi ka firmosur kontratë të re katër (2+2) vjeçare dhe pritet që rritja e tij të vazhdojë edhe në të ardhmen.


“Ky është moment shumë i rëndësishëm për mua. Për një sportist vlerë shumë të madhe ka kur klubi dhe stafi teknik manifesojnë besim dhe unë jam mirënjohës për vlerësimin që me jepet. Jam në klubin më të mirë në vend dhe dy vitet e fundit kisha mundësi të kontribuoj në fitimin e titujve kampion. Zgjatja e bashkëpunimit më jep shumë entuziazëm për sfidat e përbashkëta që na presin në të ardhmen dhe besoj se Shkëndija do të vazhdojë rrugën e sukseseve”, shprehet Bekim Rexhepi, pas vazhdimit të bashkëpunimit.

I ardhur dy vite më parë në taborin kuqezi, Rexhepi ka shënuar progres të madh dhe ka lënë përshtypje të fortë se mund të llogaritet seriozisht në shërbimet e tij për të ardhmen. Pikërisht performansat e Rexhepit në fund të sezonit të kaluar bënë që mos të ndjehej fare mungesa e portierit të parë Kostadin Zahov që mbeti jashtë shkaku i dëmtimit, situatë e ngjashme si në sezonin 2017/2018. Kjo i dha mundësinë Rexhepit të ishte në terren në 16 ndeshje (7 në sezonin 2017/2018 dhe 9 në atë 2018/2019) kampionale, duke dhënë kontribut në fitimin e dy titujve rresht kampion shtetëror.