Rrethi i parë model për të vazhduar rrugën drejt titullit

No image

Shkëndija është lidere pas rrethit të parë të garave në LPFM, duke mbyllur një ecuri model për tre etapat e mbetura në LPFM. Ekipi nuk njeh disfatën, fiton 8-të nga 9-të takime në elitë, ndërsa është bindshëm skuadra më efikase në kampionatme 28-ë gola të shënuar. Buba me 7-të realizime, Ibraimi me 5 dhe Alimi e Emini me nga 4 gola i prinë listës së golashënuesve në Maqedoni.

 

Futbollistët e Shkëndijës janë duke shijuar tre ditë pushim të dhëna nga stafi teknik. Pas fitores të së shtunës 1:3 me Pelisterin në Manastir dhe pauzës dy javore që pason në kampionat shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese është paraparë pushim disa ditorë gjatë së cilit futbollistët do të mund të marrin veten pas rritmit të ngjeshur të ndeshjeve në etapën e parë të futbollit vendor.

Pas 9-të xhirove të zhvilluara është mbyllur rrethi i parë i garave në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe të gjithë parametrat me plot meritë e vëndosin Shkëndijën në pozitën e parë. Në kampionatin me 10-të skuadra ku luhet në formatin e katër rretheve, “kuqezinjtë” pasi janë përballur me secilin kundërshtar kanë bilans prej 8-të fitoreve, një barazimi dhe asnjë disfate, duke qenë lider të renditjes me 25 pikë të tubuara. Shkëndija ka dominuar në tërësi kampionatin e deritashëm, duke bërë të vetin edhe rekordin e startit më të mirë të një ekipi në futbollin e Maqedonisë, pas rrethit të parë të garave. Pas verës së suksesshme europiane ku për të dytin vit me rradh skuadra luajti në play off të UEFA Europa League, futbollistët treguan vazhdimësi edhe në kampionat ku ishin vazhdimisht në nivel më lartë se tjerët. 28-të gola në 9-të përballje e bëjnë Shkëndijën ekipin më efikas deri në këtë fazë, ndërsa pikërisht nga tabori ynë dalin 4 golashënuesit më të mirë të momentit në LPFM. Me 7-të realizime lider është Ferhan Hasani, që ndiqet nga Besart Ibraimi me 5 gola të shënuar. Me nga 4 gola pasojnë Armend Alimi dhe Izair Emini, që rrumbullaksojnë “katërshen” e Shkëndijës që ka shënuar gjithësej 20-të gola, aq sa nuk ka shënuar asnjë skuadër tjetër në kampionat.

Tabela, efekti, pikët dhe gjithë parametrat flasin për Shkëndijën, që tani më ka modelin e qartë për tre rrethet e garave që pasojnë në kampionat. Nëse mbahet ky rritëm, ekipi duhet të besojë se ka gjetur rrugën e duhur drejt titullit të kampionit.