Radeski kthehet të luajë pas 7 muajve

No image

Sulmuesi 24 vjeçar luajti 20 minutat e fundit të miqësores me Gostivarin, duke u kthyer në fushat e blerta pas pauzës prej më shumë se 7 muajve si rezultat i këputjes së ligamenteve të kryqëzuara.

Shkëndija vazhdon të përgatitet për sfidën e ardhshme kampionale të dielën me Bellasicën në Tetovë, ndërsa në këtë drejtim sot zhvilloi një ndeshje miqësore me Gostivarin ku kuqëzinjtë u paraqitën me futbollistët që kanë patur më pak hapsira për të luajtur në dy ndeshjet e para kampionale. Golin e vetëm për fitore 1:0 të Shkëndijës e shënoi Shefit Shefiti pas vetëm pesë minuta lojë.


Testin e sotëm trajneri Osmani e shfrytëzoi edhe për t’i dhënë minutat e para pas rikuperimit të plotë nga lëndimi sulmuesit Marjan Radeski. I dëmtuar rëndë më 17 korrik 2018 në transfertën e eliminatoreve të Champions League me The New Saints në Uells, 24 vjeçari operoi ligamentet dhe vazhdoi fazën e gjatë të rikuperimit. Më në fund përfundon periudha e vështirë dhe pas shtatë muaj e gjysmë Marjan Radeski zhvilloi minutat e para pikërisht në miqësoren me Gostivarin. Ky është lajm shumë pozitiv për stafin teknik, pasi kthimi i tij do të jetë vlerë e shtuar për skuadrën.