Radeski golashënuesi i 8-të i Shkëndijës në Evropë

No image
Kuqezinjtë” regjistrojnë fitoren më të thellë në Kupat e Evropës. Radeski bëhet lojtari i 8-të që shënon për Shkëndijën në Evropë, ku udhëheq me 5 gola Besart Ibraimi. 

Shkëndija deklasoi 3:0 Daçian e Moldavisë në ndeshjen e parë të raundit të parë eliminator të Liga Evropës, duke regjistruar fitoren më bindëse në historinë e klubit në kupat evropianë. Pa dashur të ndajmë asnjërin prej futbollistëve, pasi gjjthë ekipi dha më të mirën në fushë, statistikat e nxjerin Marjan Radeskin si figurë qendrore në këtë përballje. Penaltia e fituar pas faulit ndaj tij, e që u konvertua në gol për epërsi nga Ibraimi dhe dy gola në vazhdim dhanë rrumbullaksim të fitores 3:0.

Këto ishin dy golat e parë të Radeskit në Evropë në petkun e Shkëndijës, duke u bërë futbollisti i 8-të në historinë evropiane të skuadrës “kuqezi”. Lider në këtë listë është Besart Ibraimi me pesë realizime. Sulmuesi 4 gola shënoi vitin e kaluar, ndërsa dje shtoi të pestin. Pasojnë Hasani, Junior dhe Radeski me nga dy gola, ndërsa nga një gol qëndron pas emrave të Cuculit dhe ish-“kuqezinjve” Hristijan Kirovski, Bojan Vruçina dhe Ivan Mitrov. Kujtojmë që golin e parë dhe historik të Shkëndijës në Evropë e ka shënuar Ardian Cuculi në vitin 2012 në disfatën 2:1 nga Portdouni në Irlandën e Veriut. Kështu Shkëndija me tre realizimet ndaj Daçias arrin në kuotën e 15-të golave në Evropë, ndërsa rëmben fitoren e 6-të në skenën ndërkombëtare. Nga 17-të ndeshje në Kupat Evropiane krahas 6 triumfeve figurojnë 4 barazime dhe 7 disfata.