Qatip Osmani flet pas fitores kundër Renovës

No image

Shefi i stafit teknik i KF Shkëndija nuk ka fshehur kënaqësinë pas fitores së rradhës në kampionat, kur kuqezinjtë menaxhuan fitore 2:1 përballë Renovës në xhiron e 27-të të LPFM-së. Bejtullai dhe Radeski shënuan golat për triumfin e 19-të sezonal të Shkëndijës, ndërsa përkohësisht xhepçishtasit barazuan me anë të Sadikit.
“Mendoj se menaxhuam mirë ndeshjen, shënuam në moment të duhur. Kishim edhe raste tjera të cilat nuk i shfrytëzuam, ndërsa pranuam gol nga një ndërprerje që nuk duhej të kishte ndodhur. Një lojtarë që është dominant në kërcim nuk guxon të mbetej i vetmuar. Në pjesën e dytë shënuam sërish dhe përveç golit patëm edhe disa raste të 100% që nuk i realizuam. Për ne më të rëndësishme ishin të marrim tre pikët dhe me çdo fitore të rradhës Shkëndija është më afër titullit të kampionit”, shprehet trajneri Qatip Osmani.
Triumfi ndaj Renovës ishte i pesti me rradhë për Shkëndijën, që me këto tre pikë çojnë në 12-të epërsinë para Vardarit të vendit të dytë. Kështu kuqezinjtë me avantazh solid do të hyjnë në rrethin e katërt të garave në LPFM kur pritet edhe përfundimisht të sigurohet titulli i tretë i kampionit shtetërorë.

“Kemi përparësi shumë të mirë dhe nuk duhet të lejojmë këtë përparësi ta humbim deri në fund. Sot menaxhuam mirë mungesën e Alimit dhe Zahovit, Bojku mendoj se u përgjigj mirë në mesfushë, ndërsa portieri Rexhepi edhe pse nuk pati shumë punë, vlerësoj se ishte në nivel të detyrës për aq punë sa kishte. Pozitive është se vazhdojmë të sulmojmë rivalët edhe kur jemi në epërsi, këtë e dëshmuam edhe sot kur kërkonim golin e tretë. Kjo ishte fitorja e pestë me rradhë, ndërsa gjithë këto ndeshje kemi pasur mundësi të bëjmë rotacion në skuadër duke u dhënë pushim disa lojtarëve që ndjenin lodhje apo që nuk ishin në kohën e duhur. Nëse analizojmë këto pesë ndeshje, patjetër se kemi arritur atë që kemi kërkuar”, përfundoi Osmani.