Preview: The New Saints vs Shkëndija

No image

Shkëndija të martën në Oswestry të Uellsit kërkon konfirmimin e kalimit në raundin e dytë të eliminatoreve të Champions League, kur bart epërsi 5:0 në transfertën 12-të herë kampionët e Uellsit.

Kuqezinjtë kanë mbyllur përgatitjet për takimin e kthimit të xhiros së parë eliminatore të UEFA Champions League, pasi të hënën në mbrëmje zhvilluan seancën e fundit stërvitore në “Park Hall Stadium” në Oswestry të Uellsit ku të martën në orën 19:00 sipas kohës lokale ndeshen me kampionin e këtij vendi The Neë Saints. Atmofera në kampin kuqezi është në nivel, rezultati nga takimi i parë i lejon skuadrës të presë ndeshjen pa ndonjë presion të caktuar, ndërsa të gjithë mendojnë për tjetër triumf europian. Futbollisti i vetëm që nuk është në kombinim për këtë përballje është mesfushori Besmir Bojku (shkaku i lëndimit nuk ka udhëtuar me skuadrën), kurse gjithë futbollistët tjerë janë në dispozicion të stafit teknik, që sipas vendosjes së skuadrës në seancën e fundit priten ndryshime në raport me formacionin e ndeshjes së parë me TNS-në në Shkup.

 FOTOGALERIA

Ndeshja e 26-të në Europë, e katërta në Champions

Shkëndija të martën luan takimin e 26-të në kupat e Europës dhe të katërtin në Champions League. Nga 25 takimet paraprake, 22 janë në UEFA Europa League, ndërsa tre në kompeticionin më të rëndësishëm europian ku javën e shkuar koleksionuan fitoren e parë (pas dy humbjeve nga Partizani i Beogradit në vitin 2011). Triumfi ndaj The New Saints-it ishte i 10-ti i Shkëndijës në Europë, ndërsa tani kërkohet fitorja e rradhës. Suksesi eventual të martën do të ishte i pari i Shkëndijës si mysafire në Champions, ndërsa në UEFA Europa League deri tani ka regjistruar dy fitore në transfertë (1:2 kundër Krakovias në Poloni në vitin 2016 dhe 0:4 ndaj Dacias në Moldavi vitin 2017).

The New Saints-Shkëndija luhet të martën në “Park Hall Stadium” në Oswestry të Uellsit me fillim në orën 19:00 sipas kohës lokale (ora 20:00 në Maqedoni).