Preview: Sileksi vs Shkëndija

No image

Me ecuri prej pesë fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat dhe Kupë, kuqezinjtë të dielën kërkojnë suksesin e radhës në LPFM kur përballen me Sileksin në Kratovë.

Pas triumfit 2:0 kundër Kit-Go nga Pehçeva, Shkëndija rikthehet në aksion në Ligën e Parë për përballjen si mysafire me një prej rivalëve më të preferuar, Sileksin. Kuqezinjtë kundër ekipit nga Kratova kanë bilans shumë pozitiv dhe tani kjo seri kërkohet të vazhdohet, nën entuziazmin e paraqitjes së fundit kampionale kur të dielën e kaluar u mund 6:2 Rabotniçki.

Pas vitit 2008, Shkëndija në 24 duele të zhvilluara numëron 21 fitore, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje (3:1 në Kratovë në vitin 2015) dhe dy barazime (dy herë 1:1 në Kratovë në vitet 2010 dhe 2017). Sezonin e kaluar kuqezinjtë triumfuan në të katër duelet me Sileksin, ndërsa skuadra është e gatshme të japë më të mirën në duelin e parë mes veti të sezonit të ri. Pas ndeshjes të së mërkurës në Kupën e Maqedonisë, ekipi pushoi të enjten, ndërsa e premtja dhe e shtuna u shfrytëzuan për tu përgatitur për transfertën e vështirë me Sileksin.

Të rejat në skuadër

Më në fund lajme të mira për trajnerin Qatip Osmani. Në dy seancat e fundit stërvitore me intensitet të plotë ka punuar Stenio Junior, ndërsa pranë rikuperimit është edhe Mevlan Murati. Të dy munguan në ndeshjet e fundit shkaku i shqetësimeve me lëndimet, me Juniorin që tashmë është i gatshëm për të konkuruar për lojë. Ndërkohë duke parë se Murati ende nuk është i gatshëm 100%, stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë me aktivizimin e tij.

Kundërshtari

Sileksi është kundërshtar i preferuar i Shkëndijës por asnjëherë i lehtë. Ekipi nga Kratova din të shkaktojë probleme posaçërisht në fushë të vet, ndërsa edhe gjithë ajo seri pozitive e kuqezinjëve është ndërtuar me shumë mund dhe seriozitet. Tre vitet e fundit Sileksi konkuron për Kupat e Europës dhe vitin e kaluar humbi një gjë të tillë vetëm falë serisë negative në mbyllje të kampionatit, pasi paraprakisht dukeshin të sigurtë në vendin e tretë me 12-të pikë më shumë se rivalët.

Këtë sezon nuk e kanë nisur sipas pritjeve, pasi në pesë xhirot e para Sileksi ka shënuar vetëm një fitore, ndërsa ka humbur dhe barazuar nga dy herë dhe me pesë pikë mban pozitën e gjashtë. Ashtu si Shkëndija edhe kratovasit të mërkurën shënuan fitore 2:0 në fushë të Skopjes në takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës.

Përballja Sileksi-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Kratovë me fillim në orën 15:30.