PREVIEW | Sileksi-Shkëndija

No image

Kuqezinjtë të dielën në Kratovë kundër Sileksit zhvillojnë ndeshjen e xhiros së dytë në LPFMV.

Shkëndija sërish do të jetë udhëtuese në start të sezonit të ri garues në elitën e futbollit vendorë, pasi në kuadër të xhiros së dytë përballemi me Sileksin në Kratovë. Pikërisht në këtë duel kuqezinjtë kërkojnë suksesin e parë në sezonin e ri, pasi nisëm me disfatë 1:0 nga Akademia Pandev. Humbja natyrisht solli dëshprim, posaçërisht pasi edhe analiza e takimit tregoi dominim të plotë të Shkëndijës dhe 5-6 raste ideale të humbura para portës kundërshtare. Ashtu si në ndeshjet europiane, efikasiteti u shfaq problematik edhe në kampionat dhe stafi teknik gjithë javën ka punuar në menjanimin e mangësive të shfaqura në lojë.

Të rejat në skuadër
Skuadra gjithë javën ka punuar e kompletuar dhe stafi teknik në dispozicion do të ketë të gjithë futbollistët. Pas mungesës kundër A. Pandev, në listë është përfshirë edhe kapiteni Armend Alimi.

Formacioni fillestar do të vendoset para ndeshjes, ndërsa ajo që është e sigurtë është se pritet vendosje ofenzive që do të sulmojë trepikëshin e parë në sezonin e ri.

Kundërshtari
Sileksi sezonin e ri e nisi me disfatë 1:0 në transfertën me Renovën në Tetovë. Bëhet fjalë për ekip ndaj të cilit kuqezinjtë kanë bilans shumë pozitiv dhe tendenca është që kjo seri të vazhdojë edhe në të ardhmen. Herën e fundit që dy ekipet janë përballur mes veti në Kratovë rezultati ishte 3:0 për Shkëndijën.

 

Përballja Sileksi-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Kratovë me fillim në orën 17:00.