Preview | Shkupi vs Shkëndija

No image

Kuqezinjtë rikthehejnë vëmendjen ka kampionati vendor dhe në kuadër të xhiros së katërt të dielën nga ora 16:15 luajnë si mysafirë me Shkupin.

Pas një tjetër vere të bukur europiane ku skuadra për të tretin vit me rradhë preku play offin e UEFA Europa League, Shkëndija rikthen vëmendjen kah skena vendore. Ekipi ka nevojë për një ‘refresh’ psikologjik për tu koncentruar 100% në atë që pason. Xhiroja e katërt në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë për kuqezinjtë sjell transfertën me Shkupin në Çair. Pas fitores së parë në sezonin e ri xhiron e kaluar me Bellasicën në Tetovë, tani kërkohet tjetër trepikësh për të nisur seri suksesesh që do të çojnë skuadrën drejt kreut të renditjes.

Të rejat në skuadër

Stafi teknik nuk ka kurfarë problemi me lojtarë të pezulluar apo lënduar (përveç Radeskit që do të qëndrojë periudhë më të gjatë jashta terreneve) dhe kundër Shkupit do të llogaris në të gjithë futbollistët. Pas eliminimit nga Kupat e Europës ku ekipi shpenzoi shumë energji pas katër raundeve dhe tetë ndeshjeve të zhvilluara me kundërshtarë të fuqishëm, stafi teknik ka punuar në rikuperim të futbollistëve. Skuadra kërkon të kalojë me sukses këtë takim para pauzës dy javore shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese.

Kundërshtari

Rivali i rradhës i kuqezinjëve gjithashtu këtë verë përfaqësoi vendin në skenën ndërkombëtare, mirëpo për dallim nga Shkëndija që ishte ekipi i vetëm që kaloi të paktën një xhiro (kuqezinjtë luajtën katër raunde, tre xhiro në eliminatoret e Champions League dhe play offin e UEFA Europa League), Shkupi ashtu si Vardari dhe Rabotniçki u eliminuan që në xhiron e parë. Skuadra nga Çairi në raundin e parë eliminator të UEFA Europa League u përball me Rangersin e Skocisë nga të cilët u mundën 2:0 në transfertë dhe barazuan pa gola në Shkup. Starti në sezonin e ri në LPFM nuk ishte sipas parashikimeve pasi barazuan 1:1 dy xhirot e para me Sileksin në Kratovë dhe Pobedën në Çair, ndërsa u mundën 1:0 nga Akademia Pandevi në Turnovë të Strumicës. Eliminimi shokues nga anëtari i ri i Ligës së Dytë Kit Go në start të garave në Kupën e Maqedonisë solli largimin e trajnerit Zekirija Ramadani, ndërsa pasues i tij i emërua turku, Hajati Sojdash.

Përballja Shkupi-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e Çairit me fillim në orën 16:15.