PREVIEW | Shkëndija vs Vardar

No image

Kuqezinjtë kërkojnë fitore kundër Vardarit të shtunën në Tetovë, për të mbyllur me tre pikë fazën e parë të kampionatit.

Dhjetë ditë pasi u përballën mes veti në Shkup në duelin e parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut, Shkëndija dhe Vardari sërish vihen përballë kësaj rradhe në duelin kampional në kuadër të xhiros së 9-të në elitën e futbollit vendor. Kjo do të jetë përballja e parë kampionale mes dy rivalëve të mëdhenj në këtë kampanjë dhe kuqezinjtë tanë pretendojnë të dalin me tre pikë, për më shumë që ekipi më pas do të ketë mundësi të rikuperojë forcat në dy javë pauzë shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese. Shkëndija pas startit të dobët rradhiti tre fitore në kampionat dhe një barazim pikërisht me Vardarin në Kupë, por seria pozitive u ndal javën e shkuar kur dolëm të mundur në transfertën me Shkupin. Derbi me Vardarin vjen në kohë të duhur për tu kthyer në rrugën e suksesit dhe futbollistët duken të gatshëm për të dalë në fushë të performojnë në maksimumin e forcave të tyre.

Të rejat në skuadër
Lajm pozitiv për stafin teknik është rikthimi në stërvitje i Egzon Bejtullait dhe portierit Konstadin Zahov. Mbrojtësi reprezentues ka ushtruar me ngarkesë të plotë, duke lënë pas dëmtimin e kyçit të këmbës që bëri të humbte dy takimet e kaluara në transfertat me Vardarin në Kupë dhe Shkupin në kampionat. E njejta vlen edhe për gardianin që ka lënë pas shqetësimet që ndjente në kofshën e këmbës. I vetmi që punon ndaras prej ekipit shkaku i lëndimit është Zija Merxhani, i cili sërish mbetet jashta konkurimit për lojë. Shkaku i pezullimeve për kartona të kuq të drejtë loje nuk kanë Gledi Mici dhe Kostadin Çeshmexhiev.

 

Kundërshtari
Vardari vjen në Tetovë me një seri negative në duelet mes veti, pasi nuk njeh fitoren përballë Shkëndijës për saktë dy vite apo 9-të ndeshje me rradhë kur kuqezinjtë tanë numërojnë 4 fitore dhe 5 barazime. Përballja e fundit mes veti u zhvillua 10-të ditë më parë dhe rivalët u ndanë me barazim 2:2 duke lënë që çështja e çerekfinalistit të Kupës të vendoset në takimin e kthimit në Tetovë. Gjithsesi, deri te ajo ndeshje ka kohë dhe tani gjithë vëmendja orientohet ka përballja kampionale. Sezonin e kaluar Shkëndija fitoi dy herë Vardarin dhe dy ndeshje u mbyllën baraz, ndërsa tani përveç nevojës së pikëve synohet vazhdimi i serisë pozitive ndaj rivalit direkt për tituj.

Dueli Shkëndija-Vardari luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:00.

Share Now

Related Post