PREVIEW | Shkëndija vs Struga Trim & Lum

No image

Kuqezinjtë të dielën në orën 17:00 presin Struga Trim&Lum në duelin e parë si vendas në sezonin e ri 2020/2021.


• Shkëndija pret Struga T&L në ndeshjen e xhiros së dytë në LPFM
• Sipas protokolit, në stadium hyjnë vetëm 6 përfaqësues të Shkëndijës dhe 4 të Strugës
• Kuqezinjtë presin fitoren e parë në ndeshjen e dytë të sezonit të ri

Shkëndija të dielën pret ndeshjen e parë si vendase në sezonin e ri, gjashtë muaj pasi për herë të fundit kishte luajtur një takim zyrtarë në kuadër të sezonit të kaluar të ndërprerë shkaku i pandemisë COVID-19. Rival i kuqezinjëve do të jetë Struga Trim&Lum në një duel që përveç se do të luhet pa praninë e publikut, në të njejtën kohë kërkon përmbushjen e rregullave dhe rekomandimeve që parasheh protokolli për zhvillimin e ndeshjeve në sezonin e ri me koronavirusin akoma të pranishëm në mesin tonë. Si pasojë, numri i personave të pranishëm në tribuna do të jetë i kufizuar me Shkëndijën që do të ketë të pranishëm 6-të anëtarë të kryesisë, Struga Trim&Lum katër dhe maksimum 6 gazetarë që lejohet të ndjekin duelin.

Sa i përket ekipit, pas barazimit me Shkupin futbollistët dhe stafi teknik kanë punuar në drejtim të sfidës së rradhës dhe futbollistët duken të bindur për të dhënë më të mirën në drejtim të arkëtimit të fitores së parë sezonale. Ndeshja e parë sezonale pas pjesës së parë jo të mirë, në vazhdim solli paraqitje shumë pozitive dhe ky duhet të jetë modeli që skuadra duhet të ndjek në vazhdim të kampionatit, me autoritet në fushë, agresivitet në sulm dhe krijmtari e realizim para portës kundërshtare.

Në ekip kthehet mbrojtësi sllovak, Jan Krivak, i cili ndeshjen me Shkupin e lëshoi shkaku i kartonit të kuq në duelin e fundit të sezonit të shkuar.

Kundërshtari

Struga Trim&Lum për të dytën herë në dy xhirot e para të sezonit të ri do të luajë në stadiumin e qytetit në Tetovë. Struganët kampanjën e dytë të tyre në elitën e futbollit vendor e nisën me barazim pa gola në transfertën me Renovën, ndërsa vetëm shtatë ditë më vonë në të njejtën fushë përballen me kuqezinjtë tanë. Sezonin e kaluar nga gjashtë ndeshje të parapara (4 në kampionat dhe 2 në gjysmëfinale të Kupës) ndërmjet Shkëndijës dhe Struga Trim&Lum u zhvilluan vetëm dy dhe të dyja skuadrat numërojnë nga një fitore. Në Strugë përkundër avantazhit të kuqezinjëve në fund vendasit fituan 2:1, ndërsa takimi në Tetovë u fitua 2:0 nga Shkëndija.

Shfaqja e pandemisë me COVID-19 bëri që sezoni të ndërpritej dhe si pasojë nuk u zhvilluan dy ndeshjet e mbetura në kampionat, si dhe gjysmëfinalet e Kupës ku kishin avansuar dy ekipet dhe u shortuan të diskutojnë mes veti kualifikimin në finale.

Ndeshja Shkëndija-Struga Trim&Lum luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME