PREVIEW | Shkëndija vs Sileksi

No image

Me titullin e kampionit të siguruar xhiron e kaluar, kuqezinjtë të mërkurën në Tetovë presin Sileksin në takimin e javës së 33-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Katër ditë pas mbylljes matematikore të garës për titullin e kampionit për sezonin garues 2018/19 me fitoren 1:0 në transfertën me Rabotniçkin në Shkup, KF Shkëndija do të përballet me Sileksin në takimin e parë nga katër sfidat e mbetura deri në fund të kampionatit. Ekipi kishte dy ditë të lira pas përballjes të ditës së shtunë, ndërsa të martën stafi teknik me futbollistët mbyllën përgatitjet për sfidën e rradhës me ekipin nga Kratova.

Të rejat në skuadër
Me 13 pikë më shumë se Vardari i vendit të dytë, kuqezinjtë realizuan objektivin për mbrojtje të titullit dhe tashmë katër sfidat e rradhës do të jenë mundësi e mirë që stafi teknik tu japë shansin për të luajtur të gjithë futbollistëve që ka në dispozicion. Kostadin Zahov dhe Besart Ibraimi ende nuk janë të gatshëm për lojë, ndërsa në ekip kthehet Egzon Bejtullai që mungoi në takimin e fundit shkaku i pezullimit me karton të kuq të ndëshkuar në duelin e xhiros së 31-të me Shkupin.

Kundërshtari
Skuadra e Sileksit po zhvilloin sezon të vështirë dhe vazhdojnë të jenë me brenga serioze për mbijetesë. Nga 32 ndeshje numërojnë 9 fitore, 10 barazime dhe 13 humbje dhe me 37 pikë të tubuara për momentin ekipi nga Kratova mban pozitën e 8 në renditje e cila çon në balotazh për plotësim të Ligës së Parë për sezonin e ardhëshëm. Në tre përballjet ndërmjet veti në sezonin aktual kuqezinjtë kanë efekt maksimal me diferencë golash 10:1 (fitore 3:0 dhe 2:1 në Kratovë, si dhe 5:0 në Tetovë). Shkëndija pikërisht kundër Sileksit ka një prej ecuritë më pozitive duke fituar 29 ndeshje, krahas 6 barazimeve dhe 7 humbjeve në 42 takime të luajtura. Kuqezinjtë në këtë duel vijnë me seri prej 7 triumfeve me rradhë kundër këtij rivali, nga të cilët humbjen e fundit e kemi pësuar më 6 dhjetor të vitit 2015. Prej atëherë në 13 takime ka 12 fitore dhe një barazim, ndërsa nëse llogarisim duelet prej vitit 2010 Shkëndija dhe Sileksi janë përballur 28 herë, prej të cilave kemi vetëm një humbje dhe dy barazime, ndërsa 25 takime janë fituar.

Shkëndija-Sileksi luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:30.