PREVIEW | Shkëndija vs Shkupi

No image

Kuqezinjtë të dielën në Tetovë presin FC Shkupin në duelin e xhiros së 17-të në LPFMV, në një ndeshje ku mjetet e grumbulluara nga shtija e biletave bashkohen me donacionet për të ndihmuar familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri. 

Vazhdojnë garat në elitën vendore me ndeshjet e xhiros së 17-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, që lë pas një javë të ngjeshur me tre xhiro brenda 7-të ditëve. Kuqezinjtë pas dueleve me Renovën (fitore 6:1) në Tetovë dhe transfertën me Struga Trim&Lum (humbje 2:1), tani rikthehen të luajnë para publikut vendas kur presin FC Shkupin. Pikërisht shkaku i ngarkesës nga ritmi i ngjeshur paralel me përgatitjet për sfidën e rradhës, ka bërë që stafi teknik rëndësi t’i kushtojë rikuperimit të forcës fizike të futbollistëve, me qëllim për të pritur sa më të përgatitur duelin me Shkupin. 

Të rejat në skuadër
Mevlan Murati kthehet pas pauzës prej një ndeshje shkaku i pezullimit për kartonin e kuq të marrë në duelin e fundjavës së shkuar me Renovën dhe hyrja e tij në kombinim për lojë i jep alternativa shtesë për pjesën defanzive trajnerit Gjoka.

Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë dhe pritet të zgjidhen më të përgatiturit për të nisur sfidën e xhiros së 17-të.

Kundërshtari

FC Shkupi pas 16-të xhirove mban pozitën e pestë në renditje me 22 pikë të tubuara përmes 5 fitoreve, 7 barazimeve dhe 4 disfatave.

Në gjashtë duelet e fundit kanë regjistruar vetëm një fitore edhe atë në mesjavë kur mundën 3:1 Akademia Pandevin, pasi paraprakisht ishin në seri prej katër barazimeve dhe një humbje. Herën e fundit kur Shkupi vizitonte Tetovën, Shkëndija fitonte bindshëm 5:1, ndërsa shkupjanët nuk njohin suksesin nga viti 2016 kur daton fitorja e vetme e tyre si mysafirë të Shkëndijës. 

Përballja Shkëndija-Shkupi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00, ndërsa mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave do të bashkohen me donacionin e futbollistëve dhe kryesisë për të ndihmuar familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri.

Share Now

Related Post