PREVIEW | Shkëndija vs Shkupi

No image

Kuqezinjtë të shtunën në Tetovë presin FC Shkupin në takimin e xhiros së 31 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Elita e futbollit vendor vazhdon me ritëm të ngjeshur dhe pas mesjavës skuadrat kthehen në aksion të shtunën kur në program janë takimet e xhiros së 31. Shkëndija në terren vendas përballet me FC Shkupin dhe kuqezinjtë kërkojnë pikë maksimale për të mbyllur sa më shpejtë matematikisht garën për titullin e kampionit. Disfata e të mërkurës në transfertë bëri që epërsia në krye të renditjes të ngushtohet në 9-të pikë dhe në gjashtë takime deri në fund kuqezinjtë kanë nevojë për tre fitore për të qenë edhe zyrtarisht kampionë të sezonit garues 2018/2019.

Të rejat në skuadër
Sfida me Shkupin do të jetë ndeshja e tretë brenda shtatë ditëve për Shkëndijën dhe stafi teknik ashtu si që paralajmëroi prej para një jave, aplikon rotacione në skuadër për t’u dhënë mundësi për të luajtur të gjithë futbollistëve, ndërsa paralel kursen nga ngarkesa shtesë lojtarët që gjithë kampionatin kanë bartur barrën më të madhe në formacion. Pasi humbi ndeshjen e fundit shkaku i pesë kartonave të verdhë, në skuadër kthehet Valmir Nafiu, ndërsa për motive të njejta do të mungojë Stenio Junior. Jashta kombinimit vazhdojnë të mbeten portieri Kostadin Zahov dhe sulmuesi Besart Ibraimi.

Kundërshtari
FC Shkupi zhvillon sezon të ndryshueshëm, duke parë veten herë në seri të gjatë suksesesh e pastaj humbje të njëpasnjëshme. Së fundmi pasi u mundën në pesë takime me rradhë, shkupjanët ndërprenë krizën dhe në Tetovë vijnë me seri prej tre fitoreve. Në përballjet mes veti këtë sezon Shkëndija u mund në takimin e fundit në Shkup (1:0), ndërsa kuqezinjtë fitonin dy takimet e para (1:2 në Çair dhe 3:0 në Tetovë).

Shkëndija-Shkupi zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:00.